Gazeta Si – Përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi, tha gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese për Belinda Ballukun, se deputeti gëzon imunitet dhe nuk ndiqet penalisht pa pëlqimin e Kuvendit.
Ajo u shpreh se ekzistojnë arsye të forta juridike dhe logjike se pse kushtetuta ka bërë që edhe ministrat të gëzojnë imunitetin e deputetit.
“Vendimi i SPAK, krahasohet me shkarkimin e një ministri duke mos mundësuar ushtrimin e detyrave. Vendimi i pezullimit është ‘de facto’ një shkarkim. Ndalohet pjesëmarrja e ministrit në Këshillin e Ministrave. Kur të gjitha veprimet pezullohen, funksionari mbetet pa mundësi për të ushtruar detyrën”, – u shpreh Arbi.
Në vlerësimin e Kuvendit, theksoi ajo, vendimi i GJKKO-së cënon parimin e ndarjes dhe barazisë së pushteteve të sanskionuara në nenin 7 të Kushtetutës, në disa dimensione.
“Nga perspektiva e pushtetit legjislativ ndërhyrja gjyqësore në përbërjen e Këshillit të Ministrave që Kuvendi ka miratuar, përbën një cënim të drejtpërdrejtë të kompetencave kushtetuese. Kuvendi ka ushtruar rolin e tij kushtetues të dhënies së besimit, duke vlerësuar programin dhe përbërjen e qeverisë së propozuar nga kryeministri dhe të dekretuar nga presidenti. Ky proces kushtetues që përfshin tre organe të larta të shtetit nuk mund të anashkalohet, ose të pezullohet me një vendim gjyqësor që nuk mbështetet në asnjë dispozitë kushtetuese dhe që i jep pushtetit gjyqësor kompetencë të ndërhyjë në këtë proces”.
Sipas saj, “nga perspektiva e pushtetit ekzekutiv, pezullimi i një ministri krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejtë në funksionimin e organeve të larta të ekzekutivit kushtetues. Pezullimi i një anëtari të këtij këshilli kolegjial, ndikon drejtpërdrejti në aftësinë e tij për të marrë vendime në fushën e përgjegjësisë së ministrit të pezulluar duke krijuar një pamundësi faktike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Këshillit të Ministrave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



