Drejtësia

Amerikanë të OPDAT rikthehen në SPAK dhe GJKKO, ofrojnë sërish asistencë në hetimet e prokurorëve

Gazeta Si – Përfaqësuesit amerikanë të OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori) janë rikthyer këtë të mërkurë në ambientet e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku do të vazhdojnë të ofrojnë asistencë për hetimet që po zhvillohen nga prokurorët e kësaj strukture.

Ekspertët amerikanë ishin larguar nga Shqipëria në fillim të muajit shkurt, pas një vendimi të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të pezulluar disa fonde për agjenci ndërkombëtare, përfshirë USAID.

Megjithatë, sipas burimeve paraprake, ata janë rikthyer tani për të vazhduar mbështetjen dhe asistencën e nevojshme për SPAK, një strukturë e krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Që nga krijimi, SPAK ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar nëpërmjet disa misioneve, si OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori), ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).

Ekspertët amerikanë, që mbështesnin me prani punën e SPAK dhe GJKKO u larguan në fund të janarit pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit të SHBA, Donald Trump për të ndaluar implementimin e asistencës ndërkombëtare, urdhër që ndërpreu edhe çdo aktivitet të USAID në Shqipëri.

Pas këtij urdhri, në një reagim zyrtar, SPAK tha se mbështetja e misioneve të partnerëve ndërkombëtare, përfshi ato të Shteteve të Bashkuara, konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.

Kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë