Futboll

Perez projekton dyshen e ëndrrave Haaland-Mbappe

Do të jetë revolucion në sulm për Real Madrid. Emrat e kërkuar nga Zinedine Zidane për Florentino Perez janë ato të Erling Haaland e Kylian Mbappé. Sipas Marca, i pari do të mbërrijë që në verë, i dyti është një projekt për 2021, për një shumë totale rreth 225 milionë euro.

Nga pikëpamja ekonomike, norvegjezi është një pistë “e lehtë” për Los blancos. Në kontratën e firmosur me Dortmund vetëm 5 muaj më parë, norvegjezi ka përfshirë një klauzolë largimi prej 75 milionë euro për disa klube, ku bën pjesë edhe Real: duke paguar një shumë të tillë të përballueshme, Zidane do të siguronte 19 vjeçarin goleador, zëvendësuesin ideal të Benzema i cili në dhjetor do të mbushë 33 vjeç.

Më delikate çështja e Mbappé, edhe për shkak të raportit me PSG dhe Al-Khelaifi që ka treguar se nuk do të privohet nga yjet e tij, siç e kuptoi Barcelona verën e kaluar kur donte të rimerrte Neymar. Por francezit në 2022 i skadon kontrata dhe nëse brenda verës së ardhshme klubi parisien nuk do të arrijë të bëhet një klub me peshë edhe në Champions League, atëherë Mbappé mund të vendosë të mos e rinovojë kontratën. Në këtë pikë, për të mos e humbur lojtarin me parametra zero, PSG mund të pranojë të negociojë. Jo se një 21 vjeçar i paguar 180 milionë tre vjet më parë do të largohej me çmim të ulët, por Perez pret një zbritje rreth 150 milionë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë