Ne rrjet

Perëndimi kërkon urgjent formimin e qeverisë së Kosovës

Diplomatët perëndimorë kane bërë thirrje të enjten për formimin sa më të shpejt të qeverisë së re në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare, thanë në një komunikatë të përbashkët se “zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet dhe se k është thelbi i procesit demokratik’.

Në komunikatë thuhet se “nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara reformat për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian. Këto procese janë në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të votuesve”, thuhet në komunikatë.

Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri jehonë këtij qëndrimi duke theksuar se “qytetarët e Kosovës po presin me padurim per një qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”.

Qëndrimin e mbështeti edhe Ambasada Britanike në Prishtinë.

Javën e ardhshme pritet të mbahet seanca konstituive e parlamentit të ri të Kosovës, por, lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që dolën të parat në zgjedhje, ende po vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje për bashkëqeverisje. Me gjithë se u duk që të dyja subjektet do të nënshkruajnë marrëveshjen, ato vazhdojnë të jenë të ndara për çështjen e pozitave udhëheqëse. Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të jetë edhe posti i presidentit të vendit dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq po kërkon që të zgjidhet njëherë qeveria ndërsa për pozitën e presidentit të diskutohet pas një viti kur edhe pritet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e tij.

Dy deputetë gjermanë, Peter Bayer dhe Christian Shmidt, të cilët takuan të enjten udhëheqësit e të dy partive thanë se nuk është koha për zgjedhjen e presidentit të Kosovës por për krijimin e qeverisë së re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë