Sociale

Përdhunimi i 15-vjeçares/ Protestë në Mirditë, reagon edhe Delegacioni i BE-së

Dhjetëra qytetarë protestuan sot në Mirditë, në mbështetje të 15-vjeçares që u përdhunua nga 5 persona. Me thirrjet “ti nuk je vetëm” apo “përdhunimi është krim”, ngjarja e rëndë bëri bashkë qytetarët, të cilët akuzuan edhe strukturat shtetërore që nuk bën sa duhet për të mbrojtur gratë e vajzat, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe marrje masash nga institucionet shtetërore.
“Vajzat në rrezik gjithkund, shteti askund”, shkruhej nëpër pankartat që protestuesit mbanin në duar, ndërsa i pranishëm në protestë ka qenë edhe Dom Gjergj Meta, Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europianka ka reaguar sot nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” pas rasteve të publikuara të abuzimeve seksuale që kanë tronditur kohët e fundit vendin.

Delegacioni i BE-së dënon më forcë rastet e fundit të abuzimit seksual në Shqipëri, ndërsa thekson se në asnjë moment përdhunimi apo ndonjë formë e abuzimit seksual nuk mund të justifikohet. Reagimi vjen pas skandalit në Mirditë, ku një e mitur u përdhunua në grup nga pesë të akuzuar.

Gjithashtu në këtë reagim i bën thirrje institucioneve, drejtësisë, policisë si edhe shërbimeve sociale që të ndërhyjnë kundër kësaj dhunë të tmerrshme.

“Delegacioni i BE-së dënon me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri. Nuk ka asnjë justifikim për përdhunimin ose ndonjë formë të abuzimit seksual. JO do të thotë JO. Mbroni vajzat në Shqipëri! Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret”, shkruan delegacioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë