Kombetarja

Përçarja e tifozëve Kuqezi hap probleme edhe me kundërshtarët, një shqiptar i plagosur në Tbilisi

Nga Gazeta Si- Detyrimi për të marrë fitoren për lojtarët, ekipin dhe trajnerin, e kanë vendosur të gjithë ambientin kuqezi në një atmosferë jo të qetë, madje nën një presion shumë të madh, që i shtohet edhe atmosfera jo e mirë përtej protagonistëve të fushës së blertë.

Gazetasi.al ka mësuar ekskluzivisht se grupimi më i madh i tifozerisë shqiptare, të kombëtares, TKZ (Tifozët Kuq e Zi), kanë pësuar një çarje të madhe.

Drejtuesit dhe anëtarët e vjetër, ata të cilët kanë dhënë më shumë kontribut në rritjen e këtij grupimi janë ndarë nga djemtë e rinj të bashkuar rishtazi me të cilët kanë patur prej kohësh disa debate dhe akuza të brendshme për mos korrektësi menaxhimi të fondeve, për të mos shkuar edhe më tej në akuza më të rënda.

Gjithsesi kjo përçarje ka sjellë sjellje disi të çuditshme të këtij grupimi duke dëmtuar jo thjeshtë financiarisht federatën e futbollit me gjoba, për shkak të hedhjeve të flakadanëve në fushën e lojës, por edhe në tensionime të situatës, ashtu siç pritet në Gjeorgji sot.

Një muaj më parë në vizitën e ekipit gjeorgjian në Tiranë ku fituan me shifrat 0-1, në fillim një pjesë e grupimit të TKZ-s vërshëllyen në mënyrë të pakuptimtë himnin gjeorgjian, gjë që bëri përshtypje nga ajo kohë dhe deri tek konferenca për shtyp e djeshme e trajnerit Silvinjo dhe futbollistit Ardian Ismajli. Një prej gazetarët vendas së pari e pyet i habitur se për çfarë ishte vërshëllyer himni i tyre në Tiranë dhe së dyti ndonjë kërkesë ndjese apo ndonjë mesazh drejtuar tifozerisë gjeorgjiane për ndeshjen e sotme.

Ndërkohë që prej ditësh në grupimet e tifozerisë gjeorgjiane qarkullon një video ku në mënyrë po prapë të pakuptimtë goditet një tifoz gjeorgjian në rrugët e Tiranës, përveç videos së vërshëllimave të himnit të tyre në stadiumin “Air Albania”.

Duket si një lojë tifozerie në rrjetet sociale, por që ka patur pasoja, pasi mbrëmjen e djeshme në Tbilisi grupime të ndryshme të tifozerisë gjeorgjiane kanë dalë nëpër rrugët e Tbilist në kërkim të tifozëve shqiptarë, madje njërin prej tyre e kanë goditur dhe dëmtuar rëndë, me inicialet D.A. Bëhet fjalë për goditje të rënda në kokë që kanë detyruar shokët e tij ta dërgojnë më pas në spital.

Një klimë jo e mirë dhe aspak mikpritëse për shqiptarët në Gjeorgji pas ngjarjeve të ndodhura në Çeki, me flamurin kuqezi të përmbysur me kryq dhe përkrah flamurit serb, në Tbilisi ka patur dhe priten konfrontime edhe më të ashpra, sa më tepër afrohet orari i ndeshjes dhe bashkë me të edhe tifozët përballë njëri-tjetrit në stadium.

Dhe të mendosh të gjitha këto ndodhin në prag të këtij takimi kaq të rëndësishëm për mbarëvajtjen e Ligës së Kombeve të kombëtares shqiptare, pas dy humbjeve radhazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë