Spanjë-Itali është gjysmëfinalja e parë e Euro 2020, ndërsa gjysmëfinalja e dytë do të mësohet sot, pasi të luhen edhe dy ndeshjet e fundit çerekfinale, Ukrainë-Angli dhe Çeki-Danimarkë.
Prozhektorët janë të fokusuar në Romë, ku luan Anglia favorite ndaj Ukrainës së Shevçenkos. Diferencat në kualitet mes dy skuadrave janë të dukshme, por ky Europian ka treguar se është e vështirë të bësh parashikime, teksa shumë shpejt kanë dalë jashtë gare ekipe si Holanda, Franca, Portugalia dhe Gjermania. Ukrainasit vijnë me motivin e duhur, pas eliminimit të Suedisë, por përballë kanë një superfuqi, si Anglia.
Trajneri Southgejt pritet t’i besojë formacionit që fitoi ndaj Gjermanisë, dyshimi i vetëm është Saka në të djathtë të sulmit. Kejn dhe Sterling do të udhëheqin skuadrën e “Tre Luanëve” në këtë sfidë. Shevçenko në krahun tjetër ka humbur sulmuesin Besedin, të dëmtuar në ndeshjen e fundit. Shpresat e tij janë te Jarmolenko dhe Malinvoskij. Sfida e Romës ka marrë vëmendje edhe për shkak të problematikës me tifozët, ku anglezëve u është ndaluar të udhëtojnë drejt Italisë.
Në çerekfinalen tjetër, që luhet në Baku, përplasen dy “hirushe” të tjera të kompeticionit, Çekia dhe Danimarka, njëra prej të cilave do të thyejë çdo parashikim, duke shkuar në gjysmëfinale. Vështirë të thuhet se cila do të jetë ajo skuadër, pasi forcat janë gati të balancuara.
Danimarka vazhdon të luajë në emër të Kristjan Eriksenit, lojtarit më të mirë të saj që kaloi një moment shumë të vështirë që në ndeshjen hapëse ndaj Finlandës, kur u godit nga një atak kardiak. Sot danezët kanë në dyshim edhe Jusuf Poulsen dhe Vas. Çekët, me Patrik Shik në majë të sulmit, kanë treguar se mund t’i bëjnë keq çdo kundërshtari dhe nuk janë aspak për t’u nënvlerësuar. Tani fjalën e ka fusha.
Çerekfinalet
Sot, ora 18:00
Çeki-Danimarkë (Baku)
Ora 21:00
Ukrainë-Angli (Romë)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.