Politike

Përballja në gjykatë për statutin e PD. Basha dorëzon ndryshimet e korrikut, Berisha të dhjetorit

Përplasja Berisha-Basha për kontrollin e Partisë Demokratike po mbërrin gradualisht nëpër gjykata. Të hënën, në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës është dorëzuar kërkesa nga Partia Demokratike për përditësimin e ndryshimeve që iu bënë statutit në Kuvendin Kombëtar të mbajtur më 17 korrik të këtij viti, pak më shumë se një muaj pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të kësaj partie.

Kërkesa është regjistruar dhe shortuar pranë kësaj gjykate dhe do t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, ku gjyqtare e çështjes është Blerina Muça.

Ndërkohë, po në këtë gjykatë pritet që të depozitohen brenda të martës edhe ndryshimet e miratuara në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor, por që nuk njihet nga Lulzim Basha.

Përplasja gjyqësore shton amullinë që ka përfshirë institucionet dhe legjitimitetin e tyre brenda partisë më të madhe të opozitës.

Të hënën, në të njëjtën kohë që linja zyrtare e PD-së depozitonte kërkesën për regjistrimin e statutit të korrikut, në Selinë e PD-së zhvillohej beteja e radhës mes Berishës dhe Bashës. I pari hyri brenda godinës në krye të atij që e quan Komisioni i Rithemelimit dhe mbështetës të tjerë, siç tha për të zhvilluar mbledhjen e parë, i dyti mbajti një mbledhje për organizimin e zgjedhjeve në FRPD, që ka mbetur pa kryetar pas shkarkimit të Belind Këlliçit.

Tensionet mes palëve dhe mbështetësve nuk u shmangën. Mbështetësit e Bashës akuzuan Berishën për uzurpim të Partisë Demokratike, ndërsa mbështetësit e Berishës, përfshirë këtu edhe deputetin Belind Këlliçi akuzuan se Basha po mban partinë me njerëz të armatosur dhe të maskuar.

Berisha mbajti një konferencë për shtyp nga selia e PD-së ku në të gjithë fjalën e konsideroi Bashën të shkarkuar dhe u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen rreth tij. Basha pasoi me një tjetër konferencë të gjatë po për mediat, ku e akuzoi Berishën për ’97, 21 janarin dhe ftoi demokratët që t’i bashkohen në Kuvendin e 18 dhjetorit, siç tha, për të flakur pas të shkuarën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë