Kombetarja

Përballja me Çekinë, Sylvinho: Kundërshtarë të fortë, por ne synojmë fitoren. Bajrami: Çunat janë gati!

Nga Gazeta ‘SI’- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho ka folur për mediat sot, një ditë para përballjes me Çekinë.

Ai u shpreh se skuadra çeke është e ashpër, por Kombëtarja synon fitoren, teksa theksoi se Indrit Tuci do të jetë pjesë e formacionit

“Do të jetë sfidë e rëndësishme duke qenë se Çekia është e ashpër, ka tranzicione të shpejta ka lojtarë të mirë, mëngjarashë. Mund të ketë që shënojnë dhe gol, por ne dimë të luajmë jemi përgatirur, asnjë trajner nuk e përgatit ndeshjen për të barazuar. Do të futemi në fushë për të fituar. Na pret një ndeshje e bukur, e tillë është Kombëtarja, çdo gjë ecën shpejt. Një muaj para kishim Manaj dhe jo Dakun, tani e kundërta. Janë lojtarë të fortë por me karakteristika të ndryshme. Kujtohem që në ndeshjet e shtatorit, Manaj i lodhur në ndeshjen e dytë po kjo është puna e stafit dhe trajnerit për të gjetur zgjidhje. I gjithë stafi punon me kohë të zgjatur, dhe nuk punon me vetëm 23 lojtarë është një listë prej 60 lojtarësh që i ndjekim. Këtë herë kemi marrë Tucin që është lojtar i mirë dhe fizik. Ka ardhur në Tiranë menjëherë pas ftesës. Është lojtar interesant, që ka mundësi për të shpalosur veten. Nuk ka rëndësi sa luan. Kjo është ajo që duhet të bëjë stafi, të punojë në rastet kur kemi vështirësi.

Nuk ka ndonjë arsye të veçantë pse e kryem stërvitjen zyrtare në Tiranë, thjesht për arsye logjistike. Ne kishim në fluturim që duhet të ishim këtu në 5 dhe që mos kishim arsye të humbisnim stërvitjen pasi biseduam, vendosëm ta kryenim atje. Ne kemi një qendër shumë të bukur atje. Nuk i kam kërkuar Laçit të më japë informacione por do ta pyes sot, nëse nuk më përgjigjet nuk do të luajë, nëse do të përgjigjet do të luajë”, tha Silvinjo.

Gjatë konferencës fjalën e mori edhe mesfushori Nedim Bajrami, i cili e cilësoi si shumë të rëndësishme ndeshjen e nesërme dhe tha se “çunat janë gati!”

“Besoj se ai gol që kam bërë është i kaluar, sepse ka goxha kohë. Nesër do jetë ndeshje ndryshe, bëhet fjalë për një ekip fizik dhe e dimë se çfarë na pret. Na mungojnë disa lojtarë, por grupi është gati. Kemi lojtarë të rinj. Tuci ka bërë stërvitjen e parë me ne. Do jetë ndeshje e vështirë se në shtëpi janë të fortë. Besoj se çdo ndeshje ka peshën e vet. Nesër ne do futemi për të dhënë maksimumin sepse kemi luajtur dhe ne të kaluarën me Çekinë, e njohim, por nesër sfidë e ndryshme. Barazimin nuk e kanë harruar akoma, nesër është ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë dhe të gjithë çunat janë gati”, tha Bajrami.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë