Presidenti dhe mazhoranca po “pajtohen” në një pikë, për t’ju drejtuar Venecias për çështjen e dekretimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari. Menjëherë pasi komisioni hetimor miratoi kërkesën për t’iu drejtuar Venecias për të marrë ekspertizën e huaj, nëse Meta shkeli Kushtetutën me dekretin e nxjerrë, ku socialistët pretendojnë se është në shkelje, presidenca bëri të ditur hapin e radhës.
“Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, dekretin e Presidentit Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij. Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e Tedi Blushit, zëdhënësit të presidentit.
Por ankimimi i presidentit është i ndryshëm me atë që do të kërkojë Parlamenti.
Nëse mazhoranca kërkon vlerësim për dekretin e presidentit për Xhaferllari, Meta nga ana tjetër do t’i drejtohet Venecias për mungesën e kandidaturave të sjella nga ana e KED-së. Për katër vende vakante pati të njëjta emra të propozuar nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtëisë. Arta Vorpsi kandidatja për të cilën PS-ja e cilëson si anëtare të Gjykatës, figuronte e para si në listat e paparaqitura nga KED në Presidencë, ashtu edhe te Parlamenti. Gjithashtu edhe emrat Fjona Papajorgjit dhe të Elsa Toskës, tashmë të zgjedhura si anëtare nga ana e Parlamentit.
Por presidenti ndërkaq me anë të zëdhënësit Blushi ka thumbuar mazhorancën në lidhje me arsyen se pse po i drejtohet Venecias. “Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik”, theksoi Blushi. Për herë të parë mazhoranca iu drejtua Venecias për faktin se donte të merrte ekspertizën ndërkombëtare nëse Meta kishte shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Vonesa e nxjerrjes së raporti detyroi mazhorancën të shtynte afatin e komisionit hetimor deri në dhjetor të këtij viti. Por sërish socialistët shtynë afatin e komisionit hetimor, duke i bashkangjitur si shkelje të presidentit edhe dekretin për emërimin e Marsida Xhaferllarrit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi për Metën, socialistët pritet ta marrin në prill t këtij viti, ku shpresojnë që të kenë plotësuar edhe të venë në funksion Gjykatën Kushtetuese, ku minimumi nevojiten 6 anëtarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.