Bota

Për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar duhet një autorizim për të gjithë rezidentët e BE

Masa e vendosur nga qeveria britanike, do të hyjë në fuqi në muajin prill të këtij viti dhe përfshin të gjithë banorët e Bashkimit Evropian

Gazeta Si – Duke filluar nga e mërkura, sot në 5 mars, mund të filloni të plotësoni aplikacionin për të kërkuar ETA-n, autorizimin elektronik të udhëtimit, i cili nga data 2 prill i ardhshëm do të jetë i nevojshëm për të gjithë personat rezidentë në Bashkimin Evropian (pra edhe për shtetasit shqiptarë), që duan të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë më pak se gjashtë muaj.

Masa, e prezantuar tashmë në janar për qytetarët jo-europianë, ndërlikon më tej lëvizjen e njerëzve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Kostoja e autorizimit është 10 paund (afërsisht 12 euro), të cilat do të duhet të paguhen gjithashtu nga kushdo që ndalon në një aeroport britanik dhe synon të kalojë nga kontrollet kufitare për të dalë përkohësisht nga zona e tranzitit ndërkombëtar të aeroportit.

Për këtë arsye është e rëndësishme të kontrolloni me linjën tuaj ajrore nëse ndalesa kërkon domosdoshmërisht një kalim përmes kontrolleve kufitare.

ETA nuk zëvendëson pasaportën, e cila do të jetë e nevojshme si për marrjen e autorizimit dhe më pas për të hyrë në vend.

Nuk do të jetë e nevojshme të aplikoni për një ETA për ata që tashmë kanë leje për të jetuar ose studiuar në Mbretërinë e Bashkuar, si leje qëndrimi dhe për ata që kanë nënshtetësi irlandeze. Autorizimi nuk është i nevojshëm as për ata që kanë shtetësi të dyfishtë britanike dhe shqiptare.

Aplikimi për të marrë ETA-n, mund të dorëzohet përmes faqes zyrtare të qeverisë britanike, ose duke përdorur një aplikacion të quajtur “UK ETA”.

Më pas do t’ju duhet të prisni deri në tre ditë pune për të marrë lejen (dhe për rrjedhojë edhe për të mësuar nëse kërkesa juaj është miratuar).

Autorizimi zgjat dy vjet, përveç rastit nëse pasaportës së mbajtësit i skadon ndërkohë afati. Në të ardhmen, qeveria britanike planifikon të rrisë koston e ETA-s nga 10 në 16 paund, pra rreth 20 euro.

Përveç vendeve të Bashkimit Evropian, masa ka të bëjë edhe me Andorrën, Vatikanin, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon dhe Zvicrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë