Kosova

Për të hyrë në Kosovë nuk ka rëndësi lloji i vaksinës, por kusht janë dy dozat

Shtrëngimi i masave anti-Covid të Kosovës ku tashmë kërkohet hyrja me të dyja dozat e vaksinës, ka ngjallur së fundmi diskutime dhe paqartësi lidhur me llojin specifik të vaksinave që nevojiten për të udhëtuar në këtë shtet.

Disa qytetarë janë shprehur në rrjete të ndryshme sociale se janë të paqartë në këtë drejtim dhe sipas atyre që kanë dëgjuar, vaksinat që nevojiten për të udhëtuar në Kosovë duhet të jenë të llojit Pfizer.

Por sipas vendimit i cili u miratua nga qeveria e Kosovës në 1 dhjetor të 2021-shit dhe hyri në fuqi në 3 janar të këtij viti, nuk ka rëndësi lloji i vaksinave. Domosdoshmëri është të jenë dy doza.

Personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare, aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.

Nëse qytetarët nuk posedojnë certifikatën e vaksinimit me të dyja dozat kundër Covid-19, atëherë ata nevojiten të kenë me vete certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

Në krahasim me Shqipërinë, rastet pozitive në Kosovë janë në shifra shumë më të ulëta.

Të martën (4 janar) Kosova numëroi 108 raste të reja me Covid-19 dhe asnjë rast vdekje ndërsa Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri njoftoi për 801 infektime të reja.

Nga fillimi i vaksinimit në të gjithë Kosovën janë dhënë 1.677.000 doza vaksine. Deri më sot 784.166 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158.078.

Masat e tjera anti-Covid në Kosovë

Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.

Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërsa muzika duhet të ndalet në orën 21:30. Gastronomia do të lejohet të punojë me deri në 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura dhe deri në 70 për qind në ato të hapura. 

Sa i përket transportit, stafit të autobusëve dhe pasagjerëve u kërkohet njëra nga dëshmitë e COVID-19 që të lejohen të udhëtojnë, ndërsa në taksi lejohet të udhëtohet vetëm me dy pasagjerë.

Mbajtja e maskës mbetet e detyrueshme, me përjashtim të rasteve kur personi është duke drejtuar makinën i vetëm apo ka anëtarë të familjes, gjatë vrapimit e ushtrimeve fizike dhe gjatë ngrënies apo pijes, ndërkohë që ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë