Politike

Për shembjen e sistemit, Bashës i duhet Rama

Pranverën e 2008-ës, në dhjetëvjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë në fshehtësi të plotë dhe jashtë vëmendjes së publikut dhe të partive të tjera politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste gjetën gjuhën e përbashkët dhe vendosën ndryshimin e dokumentit themeltar të shtetit.

Ndryshimet shënjestronin ekskluzivisht sistemin zgjedhor. Deri në atë kohë, shqiptarët kishin votuar sipas sistemit mazhoritar pjesërisht proporcional. 100 deputetë të Kuvendit zgjidheshin nga garimi ballë për ballë në 100 zonat zgjedhore, ndërsa 40 të tjerë ndaheshin proporcionalisht në bazë të përqindjes së votave të marra në rang kombëtar nga partitë politike.

Pikërisht proporcionali kombëtar ishte dhe një mundësi për partitë e vogla për t’u përfaqësuar në Kuvend. Ato e kishin thuajse të pamundur që të konkurronin PD e PS në 100 zonat e tjera. Por, në prill të 2008-ës, Sali Berisha dhe Edi Rama ranë dakord dhe nënshkruan ndryshimin e sistemit.

Nga ai moment e në vazhdim, zgjedhjet qendrore në vend do të zhvilloheshin sipas sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura. Ndryshimet fuqizonin akoma më shumë kryetarët e partive dhe godisnin partitë e vogla.

Këtë e dinte mirë Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputetët e saj protestuan deri në grevë urie në Kuvend, por forca e kartonëve e dy partive të mëdha nuk u tërhoq dhe ndryshimet kaluan. Marrëveshja Berisha-Rama u shit në atë kohë si një përpjekje për t’i dhënë vendit shumicë qeverisëse më të qëndrueshme dhe jo peng të orekseve të partive të vogla.

Një tjetër arsyetim i dhënë ishte edhe heqja e mundësisë për të hyrë në Kuvend elementë me precedentë kriminalë, që duke përdorur paratë e krimit dhe presionet mund të fitonin në zonat zgjedhore përballë kandidatëve të tjerë. Por, asnjë filtër apo mekanizëm kontrolli për kandidatët nuk u ngrit dhe koha provoi që të ashtuquajturit të fortë nuk i munguan Kuvendit, as në listat e hartuara e vulosura nga kryetarët e partive.

Këtë synon të ndryshojë 11 vite më vonë Lulzim Basha. Kreu i Partisë Demokratike doli për herë të parë hapur kundër këtij sistemi, që Sali Berisha thotë se ideator ishte Edi Rama, ndërsa vetë ishte bashkëautor në votim. Basha thotë se së bashku me partitë e tjera opozitare do të nisin edhe takimet me qytetarët për t’u shpjeguar atyre arsyet se përse duhet shembur ky sistem.

“Duke përfshirë këtu edhe disa probleme të lindura që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese që zhbalancuan kontrollin dhe balancën e pushteteve, me qëllimin e mirë për të larguar kandidatët kriminelë nga zonat mazhoritare, përqendruan pushtet në duart e kryetarëve të partisë, të cilët më pas çuan në 2013 dhe 2017 në numrin më të lartë të kriminelëve në Parlament”, deklaroi ai në përfundim të takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Christian Danielsson.

Që prej marrjes së postit si pasues i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 2013, Lulzim Basha ka njohur disa gabime në qeverisjen e 8-vjeçare të demokratëve, por termat kritikues të përdorur kanë qenë përgjithësues.

Me artikulimin e problemit konkret, siç thotë ai, të ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, Basha prek për herë të parë kaq drejtpërdrejtë një tematikë që është cekur ndër vite si nga partitë e vogla, si nga analistë dhe nga organizata të ndryshme.

A është kjo deklaratë e Bashës pasojë e presionit të aleatëve më të vegjël, përfshirë këtu edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila ka qenë ndër të parat që e ka kundërshtuar sistemin zgjedhor aktual? Apo është një qëndrim që edhe vetë kreu i Partisë Demokratike e beson vërtetë?

Këto pyetje nuk marrin përgjigje edhe nëse aksioni opozitar ia arrin misionit për të rrëzuar Edi Ramën dhe zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Përgjigjia e tyre mund të mbërrijë vetëm përmes një marrëveshjeje me socialistët. Zgjedhjet e kaluara dhe sondazhet tregojnë se asnjëra forcë politike, edhe në koalicion me LSI-në nuk është në gjendje që të sigurojë shumicën prej 2/3 në Kuvend, aq sa duhen për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe ndryshuar sistemin zgjedhor.

Për ndërtimin e një sistemi që godiste partitë e vogla Edi Ramës i duhej Sali Berisha në atë kohë për të ndryshuar Kushtetutën. Tani, 11 vite më vonë, edhe pse Basha s’e thotë publikisht, i duhet Edi Rama, nëse kërkon që të ndryshojë sistemin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë