Gazeta Si – Gjatë vitit 2024, janë përgjuar 3.096 telefona për llogari të hetimeve nga na e Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë vitit 2024, thekson Prokuroria e Posaçme në raportin e saj vjetor të dorëzuar Kuvendit, SPAK ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale ku janë interceptuar 3.096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim).
Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3.335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023). Për vitin 2024 janë ekzekutuar 2.046 vendime gjykate, e cila shënon një rritje në masën rreth 22,6% (në krahasim me 1669 vendime gjykate për vitin 2023),”-thuhet në raport.
Po ashtu, në raportin vjetor të SPAK, janë identifikuar 16 grupe kriminale të rrezikshme, ndërsa aplikacioni i ç’koduar “Sky ECC”, mundësoi identifikimin e 9 grupeve.
Në sajë të përgjimeve është bërë i mundur jo vetëm identifikimi I këtyre grupeve kriminale, por dhe operimi i tyre brenda dhe jashtë territorit shqiptar.
SPAK evidenton ekzistencën e 16 grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Shqipëri, të cilat operojnë kryesisht në trafikun e kokainës dhe janë të lidhura me tregjet ndërkombëtare të krimit.
Këto grupe janë të strukturuara mbi baza familjare dhe miqësore dhe veprojnë në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës.
Sipas raportit, SPAK ka arritur të provojë veprimtarinë kriminale të 10 prej këtyre grupeve, të cilat operonin në disa qytete të vendit.
Grupet e organizuara përdorin metoda të sofistikuara, përfshirë komunikimet e koduara si SKY ECC dhe pastrimin e parave përmes kriptovalutave. Ato kanë depërtuar në struktura të rëndësishme të shoqërisë, duke përfshirë gjyqësorin, prokurorinë, policinë, median dhe akademinë.
Raporti thekson se grupet kriminale shqiptare mbeten ndër aktorët kryesorë në trafikun ndërkombëtar të drogës, veçanërisht në BE, me praninë e tyre të fortë në Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, Zvicër, Norvegji dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Këto organizata kriminale kanë krijuar rrjete të forta në Amerikën Latine, ku porosisin kokainë direkt nga vende si Bolivia, Meksika, Peruja, Ekuadori dhe Paraguai.
Dërgesat e drogës kalojnë përmes porteve kryesore evropiane si Roterdami, Antëerp, Algeciras, Pireu, si dhe përmes Durrësit dhe Tivarit në Ballkan.
Përveç trafikut të drogës, në një shkallë më të vogël, grupet shqiptare janë të përfshira edhe në kontrabandën e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik, duke operuar kryesisht në tregjet e BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.
Sipas SPAK, shumë nga eksponentët kryesorë të këtyre grupeve janë vendosur në Dubai, duke shfrytëzuar këtë qendër financiare si një pikë strategjike për aktivitetet e tyre kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.