Shendet

Për herë të parë, terapia revolucionare përgjysmon tumorin në tru

Një terapi e re radioaktive ka tkurrur tumorin në tru të një pacienti duke i bërë mjekët të shpresojnë se mund të jetë trajtimi revolucional i kancerit.

Paul Read, 62 vjeç, nga Luton, ishte pacienti i parë që mori pjesë në një provë që synon trajtimin e glioblastomës, një lloj kanceri që vret shumicën e pacientëve brenda 18 muajve.

Terapia përfshinte injektimin e niveleve të ulëta të radioaktivitetit direkt në tumor për të vrarë qelizat e kancerit.

Mjeku që hartoi provën tha se rezultatet ishin "të jashtëzakonshme për dikë, tumori i të cilit është kaq agresiv".

62-vjeçari Paul Read nga Luton, Mbretëria e Bashkuar kaloi një dhimbje të fortë koke dhjetorin e kaluar.  Dy javë më vonë, gruaja e tij, Pauline ishte e shqetësuar se ai kishte kaluar një krizë pasi fytyra i ishte varur në njërën anë.

Read u diagnostikua me glioblastomë të përsëritur dhe mjekët gjetën një masë të madhe në trurin e tij. Edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje më 27 dhjetor e më pas radioterapisë e kimioterapisë, në muajin korrik Read u njoftua se tumori po rritej sërish.

Më pas, atij iu ofrua mundësia që të ishte pacienti i parë i një eksperimenti klinik për të kuruar sëmundjen që zhvillohej nga University College London Hospitals NHS Foundation Trust (UCLH).

Në eksperimentin CITADEL-123, kirurgët heqin sa më shumë që munden prej tumorit para se të integrojnë nën skalp një pajisje të vogël që quhet rezervuari Ommaya, e cila lidhet me tumorin përmes një tubi të vogël.

Më pas, ekipi i mjekësisë nukleare injekton një ilaç të quajtur ATT001 që ndihmon në riparimin e ADN-së në qeliza, drejt e në tumor duke dërguar sasi të vogla rrezatimi. Ilaçi jepet për 4-6 javë dhe vret qelizat e tumorit duke lënë të paprekura indet e shëndetshme.

Në vetëm pak javë pas trajtimit eksperimental, tumori i Read është përgjysmuar.

“Ky eksperiment ishte shpresa e fundit dhe gjasat për të mbijetuar në bazë të të dhënave ishte pak a shumë një vit. Jam i lumtur që pata mundësinë të bëhem pjesë e këtij eksperimenti dhe s’kam pasur asnjë efekt anësor nga injeksionet”, thotë Read.

Ai shton se nuk ka frikë nëse trajtimi dështon.

“Do të jetë mrekulli nëse kjo terapi më ndihmon dhe nëse jo, s’ka problem. Jam më se i lumtur, edhe nëse nuk më ndihmon mua, mund të funksionojë për dikë tjetër. Unë s’kam asgjë për të humbur dhe gjithçka për të shpresuar”.

Një tjetër pacient i është nënshtruar së njëjtës procedurë dhe synimi është që të trajtohen 40 pacientë. Doza e rrezatimit do të rritet përgjatë eksperimentit dhe ekspertët synojnë ta kombinojnë ilaçin me imunoterapi për të trajnuar sistemin imunitar që të vrasë qelizat kancerogjene.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë