Shendet

Për herë të parë, renditen efektet e antidepresantëve në shëndetin fizik

Efektet anësore të antidepresantëve të ndryshëm janë renditur për herë të parë, duke zbuluar ndryshime të mëdha midis barnave.

Akademikët shqyrtuan ndikimin që ilaçet kishin tek pacientët në tetë javët e para pas fillimit të trajtimit, me disa që shkaktonin shtim në peshë tek pacientët deri në 2 kg ose ndryshim të rrahjeve të zemrës deri në 21 rrahje çdo minutë.

Studiuesit paralajmëruan se hendeku në efektet anësore mund të ndikojë në shëndetin e njerëzve por gjithsesi askush  nuk duhet të ndalojë trajtimin.

Studiuesit kanë bërë thirrje që ilaçet kundër depresionit të jenë të përshtatshme për nevojat e secilit person.

“Ka dallime të mëdha midis antidepresantëve dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për pacientët individualë, por edhe për një numër të madh njerëzish që i marrin ato, kështu që edhe ndryshimet modeste mund të kenë një efekt të madh në të gjithë popullatën”, tha studiuesi Oliver Hoëes, duke shtuar se gjithmonë është ditur që antidepresantët ndikojnë në shëndetin fizik por studimi nga King’s College London dhe Universiteti i Oksfordit është i pari që bën një renditje në mënyrë që efektet e ilaçeve të mund të krahasohen lehtësisht.

Ekipi analizoi 151 studime të 30 ilaçeve që përdoren zakonisht në depresion, duke përfshirë më shumë se 58,500 pacientë.

Jo të gjithë zhvillojnë efekte anësore, por, mesatarisht, rezultatet e botuara në revistën mjekësore Lancet treguan:

Një recetë tetë-javore e agomelatinës u lidh me një rënie në peshë prej 2.4 kg krahasuar me maprotilinën, që çoi në gati 2 kg shtim në peshë.

Një ndryshim prej 21 rrahjesh në minutë midis fluvoksaminës, e cila ngadalësoi zemrën, dhe nortriptilinës, e cila e përshpejtoi atë.

Një ndryshim prej 11 mmHg në tensionin e gjakut midis nortriptilinës dhe doksepinës.

“Është e qartë se asnjë antidepresant nuk është ndërtuar njësoj,” tha Atheeshaan Arumuham, nga King’s College London.

Këto ndryshime mund të grumbullohen në mënyra që bëhen klinikisht të rëndësishme, duke përfshirë një rrezik në rritje të atakut në zemër ose goditjes në tru.

Kjo do të thotë që edhe njerëzit me të njëjtën diagnozë mund të jenë më të përshtatshëm për antidepresivë të ndryshëm në varësi të preferencave të tyre dhe gjendjeve të tjera shëndetësore.

Toby Pillinger thotë se shumica e studimeve që shqyrtuan ishin relativisht të shkurtër.

“Gjëja e fundit që dua është që kjo histori të trembë njerëzit. Dua ta shoh këtë si fuqizim të individëve për të marrë iniciativën dhe për t’u angazhuar në vendimmarrje të përbashkët me mjekun e tyre”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë