Nga Gazeta Si- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon një grup gjithëpërfshirës të ndërhyrjeve për ndërprerjen e duhanit, duke përfshirë mbështetjen e ofruar nga kujdesi shëndetësor, ndërhyrjet digjitale të ndërprerjes dhe trajtimet farmakologjike në një udhëzues të parë për lënien e duhanit.
Udhëzuesi fokusohet në ndihmën e më shumë se 750 milionë përdoruesve të duhanit që duan të lënë të gjitha format e duhanit. Rekomandimet janë të rëndësishme për të gjithë të rriturit që kërkojnë të lënë produkte të ndryshme të duhanit, duke përfshirë cigaret, produktet e duhanit pa tym, puro dhe cigaret elektronike.
“Ky udhëzim shënon një moment historik në betejën tonë globale kundër këtyre produkteve të rrezikshme,” tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH.
“Kështu vendet do kenë një udhëzues specifik për të mbështetur në mënyrë efektive individët në lënien e duhanit dhe për të lehtësuar numrin e personave që zhvillojnë sëmundje të ndryshme për shkak të duhanit”.
Mbi 60% e 1.25 miliardë përdoruesve të duhanit në botë, më shumë se 750 milionë njerëz, dëshirojnë të lënë duhanin, por 70% nuk kanë akses në shërbimet efektive të ndërprerjes. Ky boshllëk ekziston për shkak të sfidave me të cilat përballen sistemet shëndetësore, duke përfshirë kufizimet e burimeve.
“Lufta e madhe me të cilën përballen njerëzit kur përpiqen të lënë duhanin nuk mund të mbivlerësohet. Ne duhet të vlerësojmë thellësisht forcën që duhet dhe vuajtjet e duruara nga individët dhe të dashurit e tyre për të kapërcyer këtë varësi”, tha Dr Rudiger Krech, Drejtor i Promovimit të Shëndetit në OBSH. “Këto udhëzime janë krijuar për të ndihmuar komunitetet dhe qeveritë të ofrojnë mbështetjen dhe ndihmën më të mirë të mundshme për ata që janë në këtë udhëtim sfidues.”
Terapitë efektive për lënien e duhanit
Kombinimi i farmakoterapisë me ndërhyrjet e sjelljes rrit ndjeshëm përqindjet e suksesit të lënies së cigares. Vendet inkurajohen t’i ofrojnë këto trajtime pa kosto ose me kosto të reduktuar për të përmirësuar aksesin, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
OBSH rekomandon vareniklinën, terapinë e zëvendësimit të nikotinës (NRT), bupropionin dhe citisinën si trajtime efektive për ndërprerjen e duhanit.
OBSH rekomandon ndërhyrjet e sjelljes, duke përfshirë këshillimin e shkurtër të punonjësve shëndetësorë (30 sekonda deri në 3 minuta) të ofruara në mënyrë rutinore në mjediset e kujdesit shëndetësor, krahas mbështetjes më intensive të sjelljes (këshillim individual, grupor ose telefonik) për përdoruesit e interesuar. Për më tepër, ndërhyrjet digjitale si mesazhet me tekst, aplikacionet e smartfonëve dhe programet mund të përdoren si ndihmëse ose mjete vetë-menaxhimi.
OBSH inkurajon ofruesit e kujdesit shëndetësor, politikëbërësit dhe palët e interesuara që të miratojnë dhe zbatojnë këtë udhëzues për të promovuar lënien e duhanit dhe për të përmirësuar shëndetin e miliona njerëzve në nevojë në mbarë botën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




