Filma

Për herë të parë një film për ilirët

Nga Gazeta Si - Jeta e ilirëve të lashtë, mënyra si jetonin, kultura, gjuha, ligjet dhe konfliktet në botën e atëhershme që më së shumti kanë qenë burim frymëzimi për historianët e antikitetit, tani vijnë të rrëfyera përmes kinematografisë...

Filmi me metrazh të gjatë “Illyricvm’ me skenar dhe regji të kroatit Simon Bogojević Narath do të jetë filmi i parë që sjell në skenë ilirët e lashtë dhe ilirishten në një bashkë-produksion mes Kosovës, Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Bosnjës.

I konceptuar në vitin 37 para lindjes së Krishtit, në film flitet për përvojën e një djali të ri ilir, në një kohë kur principatat ilire kanë qenë nën pushtimin romak.

Producenti Fatmir Spahiu shprehet për Gazetën “Si” se ky film është i veçantë për faktin se është projekti i parë kinematografik ku personifikohen ilirët.

“Ngjarjet zhvillohet në vitin 37 para lindjes së Krishtit dhe bëhet fjalë për ardhjen e një grupi ushtarësh romakë në trojet ilire. Ata do të ballafaqohen me disa fise ilire, të cilët jetonin kryesisht në Dalmacinë e sotme. Pra bëhet fjalë për fiset e Liburnëve dhe disa fise të tjera, marrëdhënia në mes pushtetit romak dhe fiseve të shpërndara ilire është në qendër të filmit”, shprehet Spahiu për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “Taksa e kripës, taksa e arit dhe shumë probleme të tjera, janë një pikë në mes të konfliktit mes romakëve dhe ilirëve”. 

I riu ilir do të thirret nga një divizion romak i kohës për t’i ndihmuar në mbledhjen e taksave nga vendësit – një detyrë që fillimisht mendohej e lehtë, por që më vonë rezulton të jetë plot sfida të papritura nga fiset ilire, të cilat tregojnë më tepër rezistencë seç pritej duke refuzuar të përulen dhe nënshtrohen.

“Ne e shohim jetën e atëhershme dhe ligjet arkaike e brutale nga sytë e këtij të riu, i cili shihej nga romakët si një ‘barbar primitiv’, por që gradualisht i ndihmon ata të kuptojnë se dy botët e tyre nuk janë edhe aq të ndryshme nga njëra-tjetra”, shpjegon më tej producenti.

E veçanta e filmit është se vjen e rikonstruktuar nga linguistët kroatë edhe gjuha ilire.

“Përveç gjuhës latine që flitet prej karaktereve romake, në film është rikonstruktuar nga linguistët kroatë edhe gjuha ilire. Në etimologjinë e saj ajo e ka me shumicë gjuhën e sotme shqipe dhe këtë e thotë akademiku kroat, Ranko Matasovic, i cili përveç imagjinatës për ta rikrijuar këtë gjuhë ka marrë për bazë shumë fjalë shqipe në një variant më ndryshe. Ata që flasin gjuhën shqipe, mund të kuptojnë shumë fjalë nga ilirishtja e rikonstruktuar vetëm për film”, shprehet Spahiu.

Fatmir Spahiu, i cili përpos punës së producentit, ka edhe një rol të në këtë film, shprehet shumë i lumtur për numrin masiv të aktorëve pjesëmarrës në këtë projekt, si dhe për faktin që rolet e ilirëve luhen nga shqiptarët e Kosovës.

“Jam i lumtur që rolet kryesore ilire luhen prej shqiptarëve të Kosovës, dhe në këtë pikë ne nuk bëjmë ndonjë dallim mes Shqipërisë dhe Kosovës, mund të themi që është edhe Shqipëria e përfshirë”, shprehet producenti për Gazetën Si. 

Ndër të tjera ai thotë se “ka qenë shumë e rëndësishme që Kosova të jetë pjesë e këtij filmi, pasi shfaqet talenti i aktorëve shqiptarë, marrin pjesë 13 aktorë shqiptarë të Kosovës, që luajnë nga rolet kryesore tek ato episodike”

Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë duke nisur nga Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Kushtrim Hoxha, Ilir Prapashtica, Rina Krasniqi, Bujar Ahmetaj, Dukagjin Podrimaj, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Ali Demi, Fatmir Spahiu, Selman Lokaj,Gani Morina…

“Illyricvm” premierën botërore e pati në Festivalin e Pulës në Kroaci, kurse në Prishtinë do të prezantohet prej 28 tetorit. Filmi do të shfaqet edhe në Tiranë gjatë muajit nëntor.

“Filmi do të jetë në Cineplex edhe në Tiranë gjatë muajit nëntor, po data nuk është përcaktuar ende”, vijon më tej Spahiu.

“Illyricvm” është bashkëprodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, Friuli Venezia Giulia Regional Fundviba Film, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë