Politike

‘Për herë të parë në kundërshti me Europën’, Rama: BE të dënojë me zë të lartë Serbinë!

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat me zv.kryeministrin italian, Antonio Tajan, ka komentuar qëndrimin e qeverisë, ku për herë të parë ka dalë kundër BE-së në deklaratën e Borrell, për ngjarjet në veri të Kosovës.

Rama përsëriti edhe një herë se vendimi i Serbisë për të ulur flamujt në gjysmështizë për terroristët serbë të vrarë pas përplasjes me policët e Kosovës, është mesazhi më i gabuar që mund t’i jepet rajonit apo komunitetit euroatlantik.

“Për t’u kthyer tek pyetja lidhur me qëndrimin tonë për të herë të parë, të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd", tha ai.

Rama deklaroi se kjo është është e dënueshme sepse është jo europiane dhe tha se kanë kërkuar që Bashkimi Europian dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin dhe të përdorin gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer përgjigjen e duhur këtij mesazhi sipas tij krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd.

“Deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Europian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë.

Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë