Politike

Për herë të parë në botë, Rama prezanton Diellën, ministren virtuale të krijuar nga AI

Nga Gazeta ‘SI’ – Edi Rama njoftoi sot se kabinetit të ri të qeverisë së tij do t’i bashkohet një ministre e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, duke e bërë këtë rast të parin në botë.

Diella, që deri më tani ishte asistente virtuale pranë e-Albania do të shërbejë si ministre e shtetit duke marrë në kontroll Prokurimet Publike.

“Ministre e re, Diella, me vulë digjitale që ajo u ka dhënë qytetarëve digjitalë vulat këto vite. Diella, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar, do ketë një strukturë të adaptuar dhe një mandat të posaçëm për të shembur frikërat, barrierat dhe ngushtësitë e administratës”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e qeverisë së re.

Rama ka shprehur shpesh planet e qeverisë së tij për t’u digjitalizuar dhe për të përdorur potencialin e plotë të Inteligjencës Artificiale në shërbimet publike. Deklarata e tij pak kohë më parë, se do të luftonte korrupsionin me ndihmën e AI-së bëri xhiron e botës.

“Një ditë, ne mund të kemi edhe një ministri të drejtuar tërësisht nga AI”, tha Rama në një konferencë shtypi në korrik, ndërsa diskutonte për digjitalizimin. “Në këtë mënyrë, nuk do të kishte nepotizëm apo konflikt interesi,” argumentoi ai.

Në 2024-n, kreu i qeverisë njoftoi se proceset e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’i kryente Inteligjenca Artificiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë