Shendet

Për herë të parë në botë, Kameruni fillon vaksinimin për malarien

Programi i parë i vaksinës kundër malaries ka filluar në Kamerun, në një lëvizje që parashikohet të shpëtojë jetën e mijëra fëmijëve në të gjithë Afrikën.

Vaksina e parë simbolike iu dha një foshnjeje të quajtur Daniella në një institucion shëndetësor pranë Yaounde të hënën.

Çdo vit 600,000 njerëz vdesin nga malaria në Afrikë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Fëmijët nën pesë vjeç përbëjnë të paktën 80% të atyre vdekjeve.

Kameruni po ofron vaksinën RTS,S falas për të gjithë foshnjat deri në moshën gjashtë muajshe.

Pacientët kërkojnë gjithsej katër doza.

Vaksina është efektive në të paktën 36% të rasteve, sipas studiuesve amerikanë, që do të thotë se mund të shpëtojë mbi një në tre jetë.

Kjo është padyshim një lehtësim por shkalla relativisht e ulët e efikasitetit do të thotë se nuk është një “shpëtim”, argumenton Willis Akhwale në Këshillin ‘End Malaria’ në Kenia.

Por për mjekët është një “mjet shtesë” i rëndësishëm në luftën kundër malaries, thotë mjeku kamerunian Shalom Ndoula, i cili ndihmoi në udhëheqjen e përhapjes në vendin e tij.

“Ne kemi një kapacitet për të reduktuar ndjeshëm numrin e rasteve dhe vdekjeve nga malaria dhe për të përshpejtuar eliminimin e sëmundjes,” tha ai për BBC.

Zhvillimi i vaksinës RTS,S ka marrë 30 vjet kërkime nga prodhuesi britanik i ilaçeve GSK.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila miratoi vaksinën, përshëndeti vaksinimin si një moment historik në luftën globale kundër sëmundjes që transmetohet nga mushkonjat.

20 vende të tjera synojnë të zbatojnë programin këtë vit, sipas aleancës globale të vaksinave. Midis tyre janë Burkina Faso, Liberia, Nigeri dhe Sierra Leone.

OBSH thotë se Kameruni regjistron rreth gjashtë milionë raste të malaries çdo vit, me 4,000 vdekje në institucionet shëndetësore, shumica prej tyre fëmijë nën pesë vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë