Ushqim

Për herë të parë, Lisbona shpallet destinacioni më i mirë i kuzhinës në Evropë

Qyteti i Lisbonës ka fituar çmimin si destinacioni më i mirë i kuzhinës në Evropë për herë të parë në World Culinary Awards.

Nderimi u dha në një ceremoni të mbajtur në Dubai, dhe ndër qytetet në garë ishin Barcelona, ​​Kopenhagen, Firence, Londra, Parisi dhe Vjena.

Gjithashtu, në event u shpallën edhe fituesit e restoranteve më të mirë të vendeve kur për Shqipërinë u shpall restoranti “Brutal” që ndodhet në Tiranë.

Gastronomia është një nga pikat kryesore kur zgjedh një destinacion turistik dhe Lisbona është njohur prej kohësh për kulinarinë e saj të larmishme dhe cilësore.

Nga restorantet tipike dhe lokale me ushqim tradicional, te restorantet me emër dhe shefat e kuzhinës me yje Michelin që riinterpretojnë shijet klasike, ka një zgjedhje të gjerë që tërheq vizitorë nga e gjithë bota.

Kryetari i Bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas, tha se “është një krenari e madhe të shohësh se identiteti dhe tradita e Lisbonës respektohen për herë të parë në këtë sektor dhe sesi kombinohet inovacioni me këtë traditë gastronomike”.

“Është një njohje e cilësisë së gastronomisë për të cilën Lisbona është kaq e famshme dhe një çmim që inkurajon të gjithë profesionistët që e mbajnë atë gjallë,” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë