Nga Gazeta Si - Myrto Uzuni ishte një ndër të përjashtuarit e shumëpërfolur të Sylvinhos nga lista e Europianit pavarësisht pjesëmarrjes në të gjitha ndeshjet eliminatore. Ai së bashku me Sokol Cikalleshin u lanë jashtë liste dhe ndërkohë që kavajasi hoqi dorë nga kombëtarja, sulmuesi i Granadës, vazhdoi të japë maksimumin me shpresën për t’u rikthyer dhe në ndeshjet e para të shtatorit të Natios League, ai ishte alternativa emergjente e trajnerit brazilian, përpara Ernest Muçit pas mungesës së Brojës.
Ai asnjëherë nuk foli për gjithçka kaloi gjatë verës së shkuar dhe në një intervistë ekskluzive për Gazetasi.al, Myrto Uzuni tregon momentin shumë të mirë që po kalon sërish me Granadën, në Ligën e Dytë spanjolle. Në gjashtë ndeshje të luajtura beratasi ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asist, duke mbajtur tashmë edhe shiritin e kapitenit.
Gazeta Si: Po kalon një moment shumë të mirë me ekipin? Pas golave dy javë më parë, ndihmuat ekipin me gola me asist. Si po shkon ky sezon për ju?
"Po jam shumë mirë pas rikthimit nga kombëtarja, në tre ndeshjet e fundit kam qenë vendimtar me dy gola një asist. Pasi ka qenë një verë e përfolur shumë me oferta nga disa klube të La Liga po Granada refuzoj çdo ofertë sepse duan që të ngjiten në La Liga sërish".
Gazeta Si: Në ndeshjen e fundit kishit edhe shiritin e kapitenit, çfarë ndjesie ju jep ky gradim nga skuadra spanjolle?
"Është ndjesi e madhe të përfaqësosh një qytet, një ekip si kapiten i saj. Një shqiptar në Spanjë kapiten nuk është se shihet shpesh herë dhe jam i lumtur pasi po vlerësohem siç e meritoj. Jam vetëm 7 gola larg të thyej rekordin kaq vite si golashënues i Granadas në vetëm 93 ndeshje. Kurse ish lojtarët e tjerë i kanë arritur ato me 250 ndeshje me Granadan.
Gazeta Si: Pas Europianit u rikthyet në kombëtare, si ishte për ju ky rikthim?
"Kur u riktheva në kombëtare unë e kam shprehur që ditën e parë që kam marr ftesën . Të gjithë e dinë historinë time, që kam jetuar në Greqi dhe atje më ka sugjeruar ftesën e kombëtares greke por ne e kemi refuzuar sepse jemi shqiptar, ishte po e njëjta ndjesi si herën e parë".
Gazeta Si: Si e përjetuat Europianin? Ndonjë qefmbetje, se mërzitja besoj është normale?
"Mu shkatërrua një ëndërr, e kam përjetuar shumë, por jeta vazhdon, jam profesionist dhe duhet te punoj më shumë".
Gazeta Si: Tashmë kemi dy ndeshje të rëndësishme në tetor ku edhe ju mund të kontribuoni duke qenë se trajneri Silvinjo ju sheh si sulmues të mirëfilltë dhe në këtë grumbullim Broja mungon, Manaj është në rikuperim. Si i shihni këto ndeshje?
"Sigurisht uroj të marrim rezultate pozitive në këto dy ndeshje".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.