Politike

Pse po hetohet Lulzim Basha

Marrjen zyrtarisht si të pandehur për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dyshimeve se janë përdorur para ruse për të fituar mbështetje në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë, Lulzim Basha e cilësoi një akt politik “putinian” të Edi Ramës.

“Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”, thotë Basha.

Kyetari i Partisë Demokratike thotë se kjo është një lëvizje e radhës e Kryeministrit për të hequr vëmendjen nga kriza politike.

“Edi Rama ka një vit e gjysmë që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”, shkruan kreu i PD-së në rrjetet sociale.

Lexo edhe: Lobimi në SHBA, Basha: Asnjë drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj

Dosja për të cilën Lulzim Basha është marrë si i pandehur, po hetohet nga tre prokurorët, Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj. Prokurorët në fjalë kanë dërguar ftesën për paraqitje në drejtim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, jo vetëm si person në dijeni, por edhe për t’i njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit.

Basha duhet të paraqitet në Prokurori ditën hënë më datë 17 qershor. Nëse kreu i PD-së refuzon ftesën, prokurorët kërkojnë shoqërimin e tij me forcë nga ana e policisë gjyqësore. Basha u paraqit në fund të muajit mars për të dëshmuar për çështjen në fjalë, vetëm pak ditë pasi kishte refuzuar paraqitjen në këtë hetim me akuzat se ishte një proces i montuar politik.

Hetimi i Prokurorisë shqiptare në lidhje me burimin e parave të përdorura nga Partia Demokratike për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi pas publikimit të një artikulli në mars të 2018 nga revista “Mother Jones”, një revistë amerikane e njohur për qëndrimet e majta të saj.

“A e shfrytëzuan rusët sistemin politik amerikan për të promovuar të djathtën shqiptare në Uashington dhe nxitur trazira në Ballkan?”. Me këtë pyetje niste artikullin e saj të gjatë investigativ kjo revistë.

“Një ish-ndihmës i fushatës Trump që punon si lobist, një pagesë gjysmë milion dollarëshe, një parti politike konservatore shqiptare, katër kongresmenë republikanë, Breitbart Neës dhe kompani të fshehta të lidhura me Rusinë”, vijonte artikulli.

Revista e cilëson një histori të komplikuar, që nis në 2017 me kompaninë skoceze “Biniatta Trade”, e krijuar nga “Asverro Corporation & Liminez Commerce” me bazë në parajsën fiskale, Belize. “Rastësisht, ose jo, dy kompanitë e regjistruara në Belize, e që qëndronin pas “Biniatta Trade” ishin që të dyja të lidhura e të kontrolluara nga rusët”, vijon artikulli.

“Asverro Corporation & Liminez Commerce” vetë është e krijuar nga “Babyonica” dhe “KF Global Management”, që të dyja të regjistruara në Britaninë e Madhe, e para me aksioner kryesor mbi 75 për qind, Evgeny Shermetyev dhe e dyta me Konstantin Ferulev, që të dy shtetas rusë.

“Biniatta Trade” pagoi një lobist republikan dhe ish-ndihmës i fushatës së Donald Trump i quajtur Nick Muzin “për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë, një shumë që në total shkon në 150 mijë dollarë”, thotë revista.

Më tej, shkrimi vijon me një përshkrim të shkurtër për Nick Muzin. MotherJones thotë se ai është diplomuar për drejtësi në Yale. Pas inaugurimit të Donald Trump si President, nuk arriti që të bëhej pjesë e administratës së tij, por më 31 mars të 2017 regjistrohet në Departamentin e Drejtësisë si lobist me kliente Partinë Demokratike shqiptare, me të cilën, sipas revistës, kishte nënshkruar më herët një kontratë.

Pagesa, sipas “Mother Jones” është kryer disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit dhe në kohën kur Partia Demokratike protestonte në çadër.

“Kontrata e firmosur nga Nick Muzin dhe për Partinë Demokratike nga Lulzim Basha kërkonte nga ana e lobistit që të promovojë Partinë Demokratike dhe të djathtën shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në të përcaktohet se ai do të paguhet me 25 mijë dollarë për tre muaj, mars, prill dhe maj”, vijon revista në shkrimin e saj.

Në fund të marsit 2017, shkruan Mother Jones, Nick Muzin rregulloi një vizitë të Lulzim Bashës në Uashington, ku në axhendë ishte edhe takimi me tre kongresmenët republikaanë, Ed Royce, Dana Rohrbacher, cilësuar gjithashtu edhe si kongresmeni i parapëlqyer i Vladimir Putin dhe Pete Sessions. Basha mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Komitetit Kombëtar të Republikanëve, ku foli edhe Donald Trump.

Pas kësaj, Nick Muzin kontaktoi me Stephen Bannon, në atë kohë një këshilltar me peshë i Trump dhe të tjerë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për llogari të Bashës dhe organizoi intervistimin e tij nga “Breitbart Neës”, faqe ultrakonservatore e informacionit online, që drejtohej nga Stephen Bannon deri para se ai t’i bashkohej fushatës së Trump në 2016.

“Nëse Basha do të siguronte mbështetjen në SHBA, ai do ta trumpetonte këtë në Shqipëri. Mes konservatorëve ai ishte i familjes, por në kundërshtim me qëndrimin pro-europian dhe pro-perëndimor të shqiptarëve, Lulzim Basha po flirtonte me populizmin nacionalist dhe po shtynte gjithnjë e më shumë me sloganin “Make Albania Great Again”, shtohet më tej.

Artikulli mban për autorësi David Corn, Hannah Levintova dhe Dan Friedman. Pyetja që ngrinin autorët ishte nëse lobuam rusët për Lulzim Bashën në Uashington apo jo? Në Tiranë mazhoranca ishte e bindur dhe akuzonte opozitën, madje në komisionet parlamentare deputetë të saj kërkuan hetim ndaj Lulzim Bashës për këtë çështje.

Çështja u vendos në qendër të diskursit politik në mars 2018, aq sa për akuzat ndaj Partisë Demokratike nga ana e mazhorancës ndërhyu edhe Ambasada Ruse në Tiranë.

“Një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë. Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Edhe Lulzim Basha i cilësoi akuzat trillim dhe akuzoi mazhorancën e qeverinë se kishte paguar me para të drogës dhe krimin artikullin e publikuar nga “MotherJones”.

Por jo vetëm PD. Në qendër të investigimeve të “MotherJones” u vendos edhe gjysma tjetër e opozitës, LSI. Në artikullin publikuar në muajin prill dhe të titulluar: “Kush e paguan Buck McKeon-in në favor të një partie shqiptare? Si përdori kompania misterioze një kongresmen republikan për të lobuar me Trumpin dhe Kongresin?”, MotherJones citon disa veprime financiare, që i quan të dyshimta në favor të lobimit për Lëvizjen Socialiste për Integrim në SHBA.

Edhe LSI reagoi duke deklaruar se do të padisë revistën për këtë artikull, që e quajti të trilluar dhe shpifje të paguar nga paratë e drogës së Edi Ramës.

E bindur se nuk ka asgjë për të fshehur, në qershor të 2018, Partia Demokratike lobonte sërish në Uashington. Në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë u publikua një kontratë lobimi e PD me kompaninë “Sonoran Policy Group”, e njohur për kontaktet që ka me njerëzit pranë Presidentit Donald Trump.

Kontrata mban datën 12 qershor 2018 dhe vlefshmëri deri në tetor 2018. Për shërbimet e grupit “Sonoran”, Partia Demokratike ka derdhur shumën prej 40 mijë dollarësh.

Lobimi në Kongresin dhe në Shtëpinë e Bardhë në SHBA është një aktivitet që në një vit gjeneron miliona dollarë për kompanitë ndërmjetësuese, që paguhen nga udhëheqës, subjekte politike, individë e shoqata të vendeve të ndryshme të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë