Individët blenë 12.7 miliardë lekë bono dhe obligacione qeveritare në ankandet e tregut primar për 9-mujorin, shumë e cila ka pësuar një rënie të lehtë me 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, edhe këtë vit investimet e individëve kanë shkuar në pjesën më të madhe për bono thesari. Ato arritën vlerën e 7.1 miliardë lekëve, me një rritje prej 3.9% krahasuar me një vit më parë. Instrumentet afatshkurtra përbënin rreth 56% të investimeve të individëve në titujt e borxhit qeveritar për periudhën 9-mujore.
Investimet në obligacione kanë pësuar rënie në vlerën e 5.6 miliardë lekëve këtë vit,7.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithëse investimet në obligacione kanë rënë në vlerë, si numër transaksionesh ato janë rritur me 22% krahasuar me një vit më parë.

Për 9-mujorin 2021, 61% e investimeve të individëve në bono dhe 37% e investimeve në obligacione u bënë nëpërmjet bankës Raiffeisen. E dyta renditet Banka Kombëtare Tretare, me 20% të investimeve në bono dhe rreth 27% e investimeve në obligacione. Bankat e tjera kanë pjesë tregu modeste, sidomos për sa i takon investimeve në bono, megjithëse e ofrojnë këtë shërbim prej vitesh.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, individët mbanin rreth 17.6% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të shtatorit 2021. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 119 miliardë lekë.
Blerjet nga portofoli i ndërmjetësve financiarë për 9-mujorin pësuan rënie me pothuajse 27% krahasuar me një vit më parë, ndërsa blerjet para afatit të maturimit (shitjet e titujve nga individët te bankat) ranë me 23%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




