Sektori i ndërtimit po i afrohet rekordit të vitit 2019, si në numër lejesh ashtu edhe në sipërfaqe.
Volumet më të mëdha të punimeve janë të përqendruara në kryeqytet sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 6-mujorin e parë.
Në janar-qershor 2021 u dhanë në të gjithë vendin 598 leje për ndërtime të reja duke u rritur me 2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe 43% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2019.
Sipërfaqja e re që do të ndërtohet shënoi rritje edhe më të shpejtë. INSTAT raportoi se në 6-mujorin e parë 2021, sipërfaqja e re për ndërtim me leje arriti në 1.1 milionë metra katrore, me një rritje 74% krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2020 dhe 15 % në raport me vitin 2019.
Numri i lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqja e re shënuan rritje të konsiderueshme në 6-mujorin e parë të vitit ku 71% e sipërfaqes së re do të ndërtohet në Tiranë. Bashkia e Tiranës dha leje për ndërtimin e 816.097 metra katrorë me një rritje 59% në raport me vitin 2020 dhe 4.2% më pak në raport me vitin normal 2019.

Në 6-mujorin e parë 2021, sipërfaqja e re për ndërtim në të gjithë vendin ishte 15% më e lartë se rekordi i tremujorit të tretë 2019, ndërsa në Tiranë ishte -4.2 më i ulët.
Ndërtimi ka qenë një nga sektorët me ecurinë më të mirë gjatë pandemisë, (i nxitur dhe nga procesi i rindërtimit), që ndikoi në 1.84% të rritjes. Gjithashtu sektori i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje pozitive në të gjithë tremujorët (2.83% në të parin; 5.47% në të dytin; 9.54% në të tretin dhe 8.93% në të katërtin).
Në tremujorin e dytë 2021 janë miratuar gjithsej 347 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 209 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 66.0%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2021, është 544.127 m 2 , nga 322.294 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 68.8%.
Në tremujorin e dytë 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 23.1 miliardë lekë, nga 14.8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 55.8%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




