Treg

Për 50 euro në vit sigurim, investimi i një jete mund të shkatërrohet në një natë

Sabina Veizaj - Një familjeje shqiptare i duhen sot të paktën 17.65 vjet që të ketë një shtëpi të sajën. Por ajo mund ta humbasë atë fare lehtë brenda një nate nga një tërmet i mundshëm, ende pa e bërë të vetën banesën.

Pasojat e dëmeve i mbeten buxhetit të shtetit në varësi të rasteve specifike dhe vetë familjes, pasi sigurimi i pronës në një kompani të caktuar që e shet këtë shërbim nuk është kulturë e përgjithshme në Shqipëri. Përpos kësaj, ende nuk ka një ligj detyrues për sigurimin e pronës; ndërtesës së banimit, apo objektit të biznesit siç ekziston në vende të tjera të botës.

Deri tani, dëmet e shkaktuara nga tërmeti i djeshëm me epiqendër në verilindje të Durrësit sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë: 293 banesa të dëmtuara apo me krisje si dhe 20 pallate; në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier, Vlorë, Elbasan e Dibër.

Kryeministri Rama bëri me dije se do të ngrihen grupe të vlerësimit të dëmeve që shkaktoi tërmeti për t'i kompensuar ato.

Artur Sulçe

Vlerësuesi i pronave Artur Sulçe shpjegon për Gazetën “Si” se vlerësimi i dëmeve bëhet nga grupi shtetëror pasi përfaqësues nga Gjeofizika japin vlerësimin se banesa e dëmtuar është e jetueshme apo jo. Mandej, thotë ai, grupi që vlerëson rastet një nga një bën raport për secilin rast dhe ia dërgon qeverisë.

“Kryefamiljari nuk ka asgjë në dorë në procesin e vlerësimit, thjesht nëse ka mundur të bëjë foto pas lëkundjeve të tërmetit që t'ia japë grupit të vlerësimit për ta pasur në dosje”, thotë vlerësuesi Sulçe.

Duke iu referuar ligjit për emergjencat civile, Sulçe sqaron se shteti në të gjitha rastet e dëmtimeve nga fenomenet natyrore arrin të të kompensojë vetëm 50% të dëmit.

Rrjedhimisht pjesën tjetër i del për detyrë vetë familjes ta paguajë.

Pse nuk e sigurojnë pronën shqiptarët?

Nëse do të kishim kulturën e sigurimit të pronës apo një ligj detyrues për ta kryer këtë shërbim, përpos traumave psikoemocionale që lë pas një fenomen natyror i paparashikuar dot, si në këtë rast, tërmeti, nuk do të vuanim edhe pasojat ekonomiko-financiare.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në portofolet e pronës, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-korrik 2019, është vënë re një ulje prej 24.43% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.18% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-korrik 2018.

Sigurimet e pronës nga zjarri dhe fatkeqësi të tjera natyrore zënë 5 % të portofolit total të sugurimeve.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sigurimi i pronës që është një nga konceptet e reja që ka hyrë në marrëdhëniet financiare të qytetarëve me pronën e tyre. Në më të shumtën e rasteve, sigurimi i pronës është i lidhur me detyrimet e kërkuara nga marrëdhëniet me bankat, për kreditë që merren nga qytetarët për blerjen e banesave.

Banka Botërore ka sugjeruar kohë më parë ngritjen e një Programi Sigurimi Kombëtar për Tërmetet që do të sanksiononte sigurimin për shtëpitë si të detyrueshëm, pasi risku i tërmetit është evident për të gjithë zonat në Shqipëri.

Kurse, sipas vlerësuesit Artur Sulçe, pavarësisht se kostoja e sigurimit të një shtëpije është modeste, mesatarisht 50 euro në vit, shqiptarët nuk e sigurojnë “për çështje besimi”.

"Ne një makinë sigurojmë - thotë Sulçe - dhe na vete mbrapa veshit kthimi i dëmit, mendo të marrësh dëmin mbrapsht për një pronë".

“Është çështje besimi mes qytetarit dhe institucioneve përkatëse që shesin këtë shërbim. Duhen ndërgjegjësuar të gjitha palët, por mendoj se kjo gjë nuk bëhet me detyrim. Mungon informacioni”, thotë Sulçe.

Plarent Hamzaj

Edhe Plarent Hamzaj, nëndrejtori i përgjithshëm i kompanisë AlbSig, mendon se mungon ndërgjegjësimi ndër qytetarë për rëndësinë që ka sigurimi i pronës, banesë në këtë rast ose objekt biznesi.

“Sigurimi i pronës është domosdoshmëri, jo për parandalim, se në rastet e tërmeteve është e pamundur të parandalosh, por lehtësohen kostot e ngjarjes”, thotë Hamzaj.
Ai gjykon se tashmë një ligj i përfolur prej vitesh për të detyruar sigurimin e pronës, duhet të bëhet realitet.

“Ne si shoqatë jemi organizuar dhe kemi përgatitur projekte për këtë qëllim. Ka një perspektivë për të parashtruar detyrimin e sigurimit të pronës”, shprehet nëndrejtori Hamzaj.

Kush i siguron shtëpitë?

Sipas të dhënave të marra nga kompanitë e sigruimit në kryeqytet rezulton se vetëm shtëpitë e qytetit sigurohen.

Albsig thotë se Tirana mbetet me përqëndrimin më të madh të sigurimit të banesës, vila dhe apartamente, duke u pasuar nga Durrësi, Vlora dhe Korça.

Çfarë thotë Qeveria për ligjin e sigurimit të pronës

Në 2017-n gjatë përmbytjeve në Veri të vendit, kryeministri Edi Rama do të artikulonte si përparësi marrjen e nismës ligjore për sigurimin e banesave ndaj fenomeneve natyrore duke e argumentuar se “Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë në ligj dhe ku pastaj njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithçka gjithmonë….”

Por dy vjet më vonë në prag të zgjedhjeve lokale në qershor të 2019-s, pasi ndodhi tërmeti në Korçë, kreu i qeverisë i pyetur nga qytetarë për ligjin e sigurimit të pronës, do të thoshte se "mentaliteti shqiptar nuk është gati dhe se shqiptarët do ta konsideronin si një taksë shtesë që do t'u rëndonte në xhepat e tyre".

Kurse këtë të diel, në mbledhjen e grupit të PS-së me rastin e marrjes së masave pas tërmetit, kryeministri Rama u shpreh: “Tema e sigurimit të banesave, është një temë që është konsideruar si tabu, është prekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit. Është e domosdoshme për t'i siguruar banesat nga fakteqësitë natyrore. Edhe kolaudimi në Bashki, ndërtimi i çdo godine, sidomos për pallatet, duhet të jetë i lidhur me sigurimin. Duhet të jetë kompania e sigurimit që jep viston për ndërtimin, që për 30 vjet askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Ky ishte një test, godinat e kanë tejkaluar parashikimin për hir të së vërtetës”.

Me ligj apo pa ligj, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen në përgjegjësinë ndaj pronës dhe rëndësinë që ajo ka në jetën e tyre, jo vetëm me fjalë.

Ekspertët e fushës shpjegojnë se në asnjë rast nuk mundet shteti të mbajë përgjegjësinë totale financiare për pronën tënde, në rast të fatkeqësive natyrore; fatkeqësi të pamundura për t'u parashikuar dhe parandaluar.

Edhe pse kryeministri Rama është deklaruar bujar këtë herë se do të dëmshpërblejë gjithë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 21 shtator 2019, duhet të kujtojmë se fondi i emergjencës për këtë vit u konsumua për studentët pas protestave të tyre të dhjetorit dhe këto para do të dalin sërish nga xhepat e taksapaguesve…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë