Ngjarje

Për 3000 stacione plazhi, vetëm 1400 vrojtues. Në Vilë-Bashtovë s’kishte asnjë të licensuar

Nga Gazeta Si – “Fillimisht babai e më pas edhe vëllai i madh kanë hyrë për të shpëtuar djalin e vogël por në fund asnjëri prej tyre nuk ka mundur të dalë i gjallë”. Ky është rrëfimi i dëshmitarëve okularë në tragjedinë e ditës së dielë në plazhin Vilë-Bashtovë të Kavajës, ku humbën jetën 3 pjesëtarë të një familjeje, babai dhe dy djemtë.

Dëshmitarët kanë treguar për median se babai i dy djemve ka kërkuar ndihmë por asnjë nga personat nuk ka mundur të ndihmojë, edhe për shkak të detit të trazuar, ndihmë që mund ta kishte dhënë vrojtuesi i plazhit nëse do të ishte aty, siç e parashikon ligji.

“Në vendin tonë ka 1400 vrojtues plazhi të licensuar, ndërkohë që janë gjithsej më shumë se 2900 stacione plazhi kështu që mungesa është e madhe”, thotë për Gazetasi.al Eni Metaj nga Federata Shqiptare e Vrojtuesve të Plazhit.

Eni Metaj, përfaqësuese e Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit

Ajo tregon se ka edhe vrojtues që në letra mund të jenë të punësuar por “problemi qëndron se në të vërtetë në vijën bregdetare prej 316 kilometrash, vetëm rreth 10 për qind e tyre mund të jenë në stacionet e plazhit”.

“Në plazhin Vilë-Bashtovë nuk ka asnjë vrojtues plazhi të licensuar nga federata dhe me sinjalizimet që morëm, vrojtuesi që ka regjistruar subjekti ka një kartë të falsifikuar, por nuk është vrojtues”, thotë Metaj.

Me detyrim ligjor, të gjitha stacionet e plazhit, për të marrë kontratën për të ushtruar veprimtarinë si stacion plazhi duhet të ketë të regjistruar vrojtues plazhi. Metaj tregon për Gazetasi.al se me letra, të gjithë stacionet kanë të regjistruar vrojtues mirëpo nuk e kanë prezent në detyrë.

“Problemi qëndron tek kontrollet që realizohen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit”, thotë Metaj.

Gazetasi.al ka pyetur Agjencinë Kombëtare të Bregdetit nëse kanë konstatuar më parë shkelje në plazhin e Vilë-Bashtovës por deri në momentin e publikimit të këtij materiali, nuk ka marrë një përgjigje.

Gjoba për çdo subjekt që nuk i gjendet gjatë monitorimit vrojtuesi i plazhit, gjobitet me 100 mijë lekë.

Metaj thotë për Gazetasi.al se Velipoja është zona ku ka një mungesë të theksuar vrojtuesish, të cilët as nuk paraqiten pranë federatës për trajnime.

Nga ana tjetër, kjo tragjedi solli vëmendjen edhe tek qendrat shëndetësore verore që janë hapur që nga 15 qershori për “një sezon turistik të sigurt”, siç ka deklaruar Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në çdo dalje të saj në lidhje me këtë lajm.

Në të gjithë vendin janë në total 30 qendra shëndetësore verore 24 orëshe, nga zonat turistike malore në bregdet. Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjollë, dhe Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 5 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalzit, Currila, Plazhi i vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, Spille, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24 orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit. Në rajonin e jugut funksionojnë gjithsej 14 qendra shëndetësore verore, përkatësisht në Pogradec, Lushnjë, Fier, Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër (Vlorë), Radhimë, Orikum, në Himarë në 6 plazhe dhe në Sarandë.

Më afër plazhit Vilë-Bashtovë është qendra shëndetësore e Spillesë dhe ambulanca ka arritur në vendin e ngjarjes rreth një orë e gjysëm me vonesë, pavarësisht se lajmi për një sezon veror të sigurt për shkak të 30 qendrave shëndetësore verore na serviret prej 2 muajsh tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë