Më shumë të ardhura janë arkëtuar në buxhetin e shtetit për vitin e kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të gjithë vitin 2021 të ardhurat totale u realizuan në masën 510 miliardë lekë, ose 101 % të planit vjetor. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 84.5 miliardë lekë ose me 20%, ndërsa krahasuar me vitin 2019 u rritën me 50 mld lekë ose me 11 %.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u vlerësuan përkatësisht në masën 444.3 miliardë lekë, 71.2 miliardë ose 19.1% më shumë, krahasuar me planin vjetor, si dhe 26.1 miliardë, ose 6.2% më shumë se plani vjetor.
Lidhur me shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2021 ato arritën në rreth 596.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 94.9 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ të fundit.
Shpenzimet korente janë realizuar në masën 97.5 përqind të planit vjetor, ndërsa shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 88.5 përqind të planit vjetor.
Shpenzimet korente për vitin 2021 rezultuan në rreth 461.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me një vit më parë ky zë ka rezultuar 9.4 përqind më i lartë, ose rreth 39.7 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet kapitale për vitin 2021 paraqesin një realizim në masën rreth 98.5 miliardë lekë.

Niveli i deficitit për vitin 2021 rezultoi në rreth 85.8 miliardë lekë, ose rreth 24.8 miliardë lekë më pak se një vit më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



