Gazeta Si – Tre persona të moshës 31, 37 dhe 39 vjeç, janë arrestuar në Himarë, pasi akuzohen se kanë kryer disa vjedhje dhe grabitje me armë në disa fshatra të bregdetit gjatë muajve gusht-shtator.
Sipas policisë, në tre raste, ata kanë marrë miliona lekë nga banesat që kanë vjedhur dhe vegla pune në një banesë që kanë grabitur.
Gjatë kontrollit të banesës së 31-vjeçarit të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan: 1 armë zjarri kallashnikov, me silenciator, 2 silenciatorë të tjerë, 2 krehra pistolete dhe 1 krehër kallashnikovi, me fishekë, 68 fishekë, 4 celularë dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve.
Po ashtu është marrë në hetim një 18-vjeçare, e cila sipas autoriteteve, ka pasur dijeni mbi këtë aktivitet kriminal, por nuk ka kallëzuar.
Katër personat akuzohen për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Moskallëzimi i krimit”.
“Si rezultat i operacionit “Break in”, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. G., 31 vjeç, banues në Sarandë; D. R., 39 vjeç, banues në Sarandë; K. H., 37 vjeç, banues në Finiq. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. M., 18 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi dyshohet se ka patur dijeni mbi këtë aktivitet kriminal, por nuk ka kallëzuar”, – njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


