Ngjarje

Për 1133 fëmijët që u vranë pa mundur të flenë me përralla

Rrëfenjat që ftojnë me “na ishte njëherë” drejt botës magjike të përrallave e kalamendin gjumin me imagjinatën, ata nuk mundën t’i dëgjonin. Fjetën përgjithnjë, përpara se të dëgjonin “dhe ata jetuan përgjithnjë të lumtur”.

Njëmijenjëzetekatër fëmijë të vrarë dhe njëqindenëntë të zhdukur përkujtohen njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një ekspozitë të titulluar “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, çelur pasditen e 13 majit në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

“Na ishte njëherë është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk duhet t'i përkasë reales, ashtu si përralla”, rrëfen Blerta Hoçia, kuratore e ekspozitës, realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë.

Një dhomë xhami brenda hapësirës mban edhe të gjithë peshën e objekteve, të cilat qëndrojnë pezull, si të përgjumura si në përrallë, për t’i lejuar kundruesve të shohin me sytë e fëmijës.

“Një përgjumje në dukje e këtyre objekteve të lëna në errësirën e pandërgjegjjes që e zgjon kujtesën personale dhe kolektive nga nevoja për të harruar vazhdimisht”, vijon Hoçia, ndërsa shton se objektet dhe veshjet e ekspozuara reshtin së qeni të tilla, e kapërcejnë  funksionin e tyre primar, duke u shndërruar në rrëfime personale,  që përcjellin praninë e vetë fëmijëve. Një prani kjo e një dimensioni tjetër, përzier me plumba dhe përralla e që kriset beftë ashtu si xhami që i përmban duke bartur mbi vete të gjithë simbolikën e tij.

“Ekspozita vjen si ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve dhe të tjerave që do të shtohen në të ardhmen”, shprehet kuratorja.

Objektet,  të cilat  iu përkisnin fëmijëve, na kujtojnë përditshmërinë, jetën monotone, gjërat e vogla të çmuara që nuk i vëmë re gjithmonë. Disa prej tyre rrëfejnë për një lojë,  që e heshtur vazhdon akoma. Ndoshta një lojë që e shoqëroi bashkëjetesën me luftën dhe vazhdon të reflektohet te të gjitha sendet e mbetura që përcjell shikimin e butë të fëmijëve i cili shëron dhe çliron rreze shprese duke e bërë kujtimin e tyre të përjetshëm. Më shumë se sa një ekspozitë,  është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë.

“Pse bëhen memorialët dhe pse ruhen rrënojat e pasojave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut?”, pyet kuratorja Hoçia, ndërsa shton,  “Nuk janë vetëm për t'i kujtuar dhe nderuar viktimat dhe të mbijetuarit, por edhe për të kërkuar të vërtetën”.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, i cili prej vitit 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut, është angazhuar në gjetjen e kësaj të vërtete si edhe për krijimin e një memoriali. FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës. Ekspozita  shpreh dëshirën  e prindërve dhe familjarëve të viktimave për t'i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një fëmijërie të ndërprerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë