Gazeta Si – Ukraina mund “me siguri” të fitojë luftën kundër Rusisë. Nuk është presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskij ai që e thotë këtë, por Pentagoni, i cili gjithashtu paralajmëron kundër rreziqeve të një konflikti të gjatë dhe të përgjakshëm.
“Sigurisht që ata mund të fitojnë”, – tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të SHBA-së, John Kirby, “dhe prova është ajo që ne kemi parë çdo ditë që nga fillimi i konfliktit. Nëse shikoni se çfarë kanë mundur të bëjnë deri më tani, Putin nuk ka arritur – për të qenë të saktë – asnjë nga synimet e tij strategjike brenda Ukrainës. Ai nuk e mori Kievin. Nuk e rrëzoi qeverinë. Nuk e fshiu Ukrainën si shtet. Dhe ata kanë marrë në mënyrë efektive një numër të kufizuar qytetesh – dhe nuk janë as ato që synojnë realisht. Mariupol? Nuk është shtypur ende. Kievi? Ata u tërhoqën prej andej. Chernihiv? Po ashtu. Kharkiv dhe Mykolaiv? Gjithashtu. Ukrainasit po luftojnë me guxim për të mbrojtur vendin e tyre. Dhe ata e kanë penguar Putinin të arrijë të gjitha qëllimet deri tani. Kështu që e përsëris: absolutisht po, Ukraina mund ta fitojë këtë luftë”.
Sot, ministrat e jashtëm të NATO-s do të takohen në selinë e Aleancës Atlantike në Bruksel, ku parashikohet se nuk do të jetë një takim i lehtë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shpjegoi në deklaratën për shtyp përpara samitit, se për vite me radhë Aleanca “ka dhënë mbështetje duke trajnuar qindra mijëra forca ukrainase dhe tani aleatët po ofrojnë pajisje për ta mbështetur në mbrojtje. Mbështetje e mëtejshme nevojitet urgjentisht; sot do të adresojmë nevojën për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, armë antitank, armë të vogla, armë të rënda dhe më shumë”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, këmbëngul për furnizimin me armëdhe mjete ushtarake.
“I bëj thirrje të gjithë aleatëve që të lënë mënjanë hezitimin e tyre për të na siguruar gjithçka që na nevojitet”, pra aeroplanë, tanke, sisteme antiraketë, “sepse sado e çuditshme të duket, armët sot i shërbejnë qëllimit të paqes”.
“Dallimi midis armëve sulmuese dhe mbrojtëse, nuk duhet të ketë kuptim në vendin tim, sepse çdo armë e përdorur në Ukrainë nga forcat ukrainase kundër një agresori të huaj, është mbrojtëse nga definicioni. Ky dallim nuk ka kuptim në lidhje me situatën në vendin tim. Ata që thonë se do të japin armë mbrojtëse, por jo sulmuese, janë hipokritë”, shtoi ai.
Ndërkohë, armët vazhdojnë të mbërrijnë në Ukrainë: ndër të tjera, dronë dhe sisteme antitank (“Për çdo tank rus, ukrainasit kanë dhe do të vazhdojnë të kenë 10 sisteme antitank. Ata kanë dhe do të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për të zmbrapsur bombardues në qiell dhe tokë”, – tha dje Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




