Ngjarje

Pensionistët mbajnë radhën në shi për abonenë, operatorët: 6 pika në të gjithë Tiranën, shpërndarja bëhet çdo muaj

Nga Gazeta Si – Edhe për muajin shkurt, pensionistët në kryeqytet detyrohen të mbajnë radhë për të tërhequr abonetë e transportit urban.

Radhët kanë nisur prej sot (e mërkurë) për të vazhduar deri në ditët e para të muajit shkurt.

Edhe pse ditë me shi dhe temperatura që kanë zbritur gjatë ditës së sotme, pensionistët qëndrojnë jashtë në pritje të radhës për të marrë abonenë e muajit shkurt.

Të pyetur nga Gazetasi.al, ata shprehen të pakënaqur me organizimin e shpërndarjes së aboneve.

“Jemi të kënaqur me vendimin e qeverisë për abone falas në transportin urban brenda qytetit, por duhet të kishin menduar dhe për të shtuar pikat e tërheqjes së aboneve, pranë zonave tona të banimit. Unë banoj në Shkozë dhe detyrohem të vij me urban deri tek pika e Brrylit, pasi aty ma ka dërguar njësia administrative emrin mua dhe bashkëshortes sime”, thotë një 78-vjeçar.

Të tjerë shtojnë se mirë do të ishte që qeveria të shpërndante kartona për lejimin e udhëtimit falas për pensionistët, njësoj siç bëhet për personat me aftësi të kufizuar.

“Mirë do kishte qenë që ne ta rinovonim kartonin 1 herë në vit siç bëhet me personat invalid. Ne nuk kemi moshë të qëndrojmë në radhë çdo muaj. Si në dimër dhe në verë, për ne është një situatë që na dëmton shëndetin. Jemi të sëmurë, me grip e viroza në qarkullim dhe këto qëndrime në radhë vetëm sa na shtojnë problemet që mbartim nga mosha”, thotë një pensionist që sot mbante radhën tek pika e shpërndarjes së aboneve në zonën e ’21 Dhjetorit’.

I pyetur nga Gazetasi.al, një përfaqësues i operatorëve urbanë, Dashnor Memaj thotë se abonetë shpërndahen sipas listave që përpilojnë bashkitë.

Sipas tij, kjo shërben për subvencionin që u jepet operatorëve nga bashkia.

Por pyetjes pse nuk hapen më shumë pika të shpërndarjes së aboneve falas, askush nuk di tu japë përgjigje.

E teksa dimri nuk ka përfunduar ende dhe ditët e ftohta me shi e temperatura të ulëta do të rikthehen sërish, pensionistët do të duhet të qëndrojnë në radhë çdo fund muaji në pritje të marrjes së abonesë.

Sipas njoftimit të bërë publik nga bashkia, janë 6 kioska të vendosura në stacionet e urbanëve  në kryeqytet, konkretisht: kioska tek Biblioteka Kombëtare, kioska pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, kioska tek stacioni i trenit, kioska tek Brryli dhe kioska tek posta nr 8 në Tiranë të cilat janë të hapura nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes.

Ndërkohë, në Tiranë janë 200 mijë pensionistë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë për përfitimin e abonesë falas për transportin urban brenda qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë