Treg

Pensionet private, rritje anemike në fund të 2024

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndonëse skema shtetërore e pensioneve ‘po vdes’, ajo private nuk është ende në lupën e shqiptarëve.

Sipas të dhënave  nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për tre muajt e fundit të 2024-s, numri i anëtarëve në tregun e pensioneve private u rrit me më pak se 1 mijë, në 44.3 mijë anëtarë në total. Në një vit numri i anëtarëve është shtuar me 6 mijë.

Asetet e tregut kapën vlerën e 82.6 milionë eurove, me rritje prej 4 mln eurosh nga tremujori parardhës. Nga fundi i vitit 2023, tregu është zgjeruar me një ritëm të njëjtë me periudhat e tjera, rreth 15%.

Për të njëjtën periudhë, asetet e tregut arritën në 12.8 miliardë lekë, me rritje rreth 2 mld lekë në një vit.

Kompania Sigal dominon tregun në vlerë asetesh, mbi 3 mld lekë.

Në një kohë kur skema shtetërore e pensioneve po përballet me vështirësi, qeveria, ekspertët dhe vetë siguruesit kanë apeluar për investime në pensionet private, që njihet dhe si ‘kolona e dytë’ e skemës së sigurimeve.

Ligji i miratuar vitin e shkuar, synonte të nxiste interesin për këtë sektor, ku u ul kosto administrative në 2.5% nga 3% që ishte dhe rritja e vlerës së patatueshme. Po ashtu, pagesat që merr anëtari i fondit privat, nuk do të tatohen më si e ardhur personale, por do të tatohen vetëm për kthimin nga investimi, norma mbetet 15%.

Ndërkohë, qeveria ka disa muaj që rikujton se është në diskutime me Bankën Botërore për një skemë të re pensionesh, ku bashkë me vlerën e pensionit pritet të rritet edhe mosha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë