Ne rrjet

Pendarovski-Macron/ Formati për negociatat e Maqedonisë gati në mars

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është lideri i parë nga Maqedonia e Veriut që takoi presidentin francez Emmanuel Macron, pas vetos për negociatat. Edhe pse ishte shprehur kundër çdo alternative për ndryshimin e procesit të negociatave, Pendarovsi njoftoi dje se metodologjia e re e zgjerimit të BE-së do të jetë gati deri në pranverë të vitit 2020.

Pas takimit në Paris, me presidentin Macron, kreu i vendit fqinj njoftoi se më pas do të merret vendimi për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Franca tashmë ka paraqitur një propozim joformal për vendet anëtare të BE-së që për reformimin e metodologjisë së negociatave të pranimit, një reformë që Macron po kërkon të miratohet përpara se të japë dritën e gjelbër për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në parim, ai mendon se metodologjia duhet të miratohet deri në mars”, tha Pendarovski, pas takimit me presidentin Macronin.
Ai shfaqi shpresën se në samitin e BE-së në Zagreb, më 6 maj 2020, mund të merret një vendim pozitiv.
Presidenti maqedonas deklaroi se i ia kishte bërë të qartë presidentit Macron se Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në BE.
"Macron më tha s qëllimi i tij nuk kishte qënë që të na rekomandojë ndonjë alternativë tjetër, në vend të anëtarësimit në BE. Ai thjesht dëshiron të përmirësojë procesin, që mos të prodhojë suksese burokratike dhe dështime thelbësore," tha Pendarovski.
Po ashtu, Pendarovski njoftoi se Emmanuel Macron do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, në gjysmën e parë të vitit 2020.

Franca mësohet se i ka propozuar Gjermanisë ndryshimin total të të gjitha rregullave të negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat do të përqendrohen te partneriteti i privilegjuar në vend të zgjerimit të mëtejshëm të unionit.

Sipas mediave serbe Macron duket se ka bindur edhe Merkel për këto ndryshime.
Në një intervistë me “The Economist” , zbuloi se sipas llogarive të vendeve të tjera anëtare, Shqipëria do të mbetet jashtë unionit edhe për më shumë se një dekadë. Macron po ashtu se çfarë e motivoi të kundërshtonte liderët e tjerë të BE-së në samitin e tetorit në Bruksel, për hapjen e negociatave.
“Unë u përpoqa të jem konsistent, u thashë liderëve të tjerë ‘kemi një problem’. Ne nuk dimë si të veprojmë me 27 anëtarë, a mendoni se do të jemi më mirë me 30 ose 32? Dhe ata më thanë ‘nëse ne hapim negociatat, Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’i duhen 15 vite të bëhet anëtare. Kjo nuk është e vërtetë as për qytetarët tanë, as për ato vende. Unë u thashë atyre të shikojnë se çfarë ndodhi me bashkimin bankar. Pas krizës së vitit 2008 na u deshën 20 vjet për ta reformuar. Pra, edhe nëse hapim negociatat tani, ne nuk do të kemi sukses në reformimin e Unionit nëse vazhdojmë të punojmë me të njëjtën shpejtësi”, tha Macron

Sipas presidentit francez, “një rrugë alternative”, është investimi në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. “’Le të përpiqemi të ndihmojmë këto vende, të investojmë, t’u themi kompanive tona që të investojnë në masë atje, të japin para për zhvillim, për kulturë, për arsim. Por thjesht hapja e një procesi burokratik është absurde, ”thotë Macron
Një nga propozimet kryesore të Macron është integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës do futet në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë. Modeli tjetër është modeli norvegjez. Ai parashikon që në vend të anëtarësimit do të ofrohet anëtarësimi në dy institucione kyçe; Bashkimi Europian për Tregtinë e Lirë dhe Zonën Ekonomike Europiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra, që nuk janë anëtarë të BE-së.
Diplomatët e Brukselit argumentojnë se Franca insiston që rregullat e reja të pranimit të ndryshohen jo vetëm për vendet që duhet të fillojnë negociatat, përkatësisht Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovinën, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat kanë ecur përpara në proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë