Gazeta Si – Skuderia italiane ka bërë apelim, me anë të të cilit kërkon anulimin e penalitetit me 5 sekonda të pilotit spanjoll, që në renditjen përfundimtare kaloi nga vendi i 4-t në vend të 12-të në Çmimin e Madh të Melburnit.
Gara e Australisë nuk ka përfunduar ende për Ferrarin. Drejtuesit e skuderisë nga Maranelo kanë vendosur të ushtrojnë të drejtën e rishikimit, sipas nenit 14 të rregullores sportive. Karlos Sainz e mbylli garën e Melburnit në vend të 4-t, por u ndëshkua me 5 sekonda për përplasjen me Fernando Alonson në rinisjen pas flamurit të dytë të kuq gjatë garës.

Gara e fundit pati tre flamuj të kuq dhe po kaq rinisje. Po ashtu, u mbyll pas ‘Safety Car’. Pati një përplasje në kthesën e parë mes Sainz dhe Fernando Alonsos dhe kjo manovër u hetua nga komisarët, që vendosën për 5 sekonda penalitet për pilotin e Ferrarit, që përfundoi në vend të 12-të, duke parë që në atë moment pilotët ishin shumë afër me njëri-tjetrin.
Pas ndëshkimit Sainz reagoi ashpër: “Jo, pse? Është e papranueshme. Duhet të presin fundin e garës dhe të flasin me mua, është një penalitet shumë i ashpër”, – tha spanjolli në radio.
Vendimi nuk ndryshoi dhe tani Ferrari do të apelojë, sipas rregullores, duke ofruar të dhëna të reja. Reklamimi do të vlerësohet nga FIA javët e ardhshme, me shumë mundësi do të vendosë para garës së 30 prillit në Azerbajxhan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



