Politike

Peleshi përplaset me Tabakun për procesin e Integrimit. Paloka: Salianji futet në burg, për Xhaçkën shkelet vendimi i Kushtetueses

Ka nisur me debate mbledhja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane, ku opozita ka paraqitur shqetësimet e saj lidhur me procesin e integrimit, në një kohë që në 15 tetor Shqipëria hap kapitullin e parë të negociatave me BE-në.

Pas një deklarate të kryetares së Komisionit, Jorida Tabaku, e cila u konsiderua si qëndrim politik nga mazhoranca, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Niko Peleshi, tha se askush nuk mund të nëpërkëmbë procedurat.

“Nuk mund të ketë mbajtje peng të mikrofonit. Procedura që ju zgjodhët të hapnit mbledhjen e Komisionit është totalisht e nëpërkëmbur. Më vjen keq ta them por kjo nuk është qytetare”, tha Peleshi, i cili kërkoi nga opozita që të mbështesë procesin e integrimit, veçanërisht në një moment historik si ai i hapjes së kapitullit të parë të negociatave me BE.

Në të njëjtën linjë me Peleshin, ishte edhe deputetja socialiste Etilda Gjonaj. Ajo tha se kjo është hera e parë që Kuvendi diskuton mbi një procedurë të tillë, që ka një rol të tillë, dhe fatkeqësisht dështoi praktika e mirë që mund të aplikohej.

“Çdo deklaratë politike mund të ishte bërë kudo tjetër, por jo në mbledhjen e këtij Komisioni. Kjo mbledhje do të duhej që të zhvillohej brenda konfidencialitetit që e parashikon ligji dhe rregullorja.

Për fat të keq vijuat me deklaratat tuaja politike, për këto arsye Ju kërkoj që të zbatoni rregulloren dhe të merrni masa që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura”, tha Gjonaj.

Në përgjigje të ligjvënësve socialistë, Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, tha se opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit, pasi kjo është në të mirën e shqiptarëve. Tabaku tha se kurrë nuk do të ndodhë që opozita e sotme të bllokojë proceset sikundër veproi PS kur ishte në opozitë që kushtëzoi mbështetjen e saj për integrimin me Kryetarin e Qarkut të Fierit. Tabaku tha se opozita s’mund të pranojë procese fasadë.

Deputeti Edi Paloka, kreu i Këshillit Kombëtar të PD, gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar të Çështjeve Europiane, ka shprehur qëndrimin e partisë më të madhe opozitare lidhur me procesin e integrimit, ndërsa në 15 tetor hapet kapitulli i parë i negociatave me BE.

Paloka tha se opozita ka mbështetur dhe mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE pasi kjo është në të mirën e shqiptarëve, por theksoi se Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet në prag të çeljes së negociatave.

“Narko-regjimi ka preferuar të vendosë diktatin e tij dhe Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet në prag të çeljes së negociatave.

Ne mendojmë se çështje vendimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët është reforma elektorale, e cila është e bllokuar nga regjimi prej 11 vitesh, kushtet e OSBE/ODIHR nuk plotësohen, ndërsa regjimi nuk lejon zgjedhjen e barabarta.

E ashtëquajtura reforma në drejtësi nuk i shërben qytetarëve. Në zyrat e e gjykatave janë plot 138 mijë dosje. Qytetarët sot përballen me këtë realitet, për një proces civil i duhen mbi 14 vite dhe për një proces penal 10 vite.

Kjo drejtësi është tërësisht e kapur dhe në duart e Edi Ramës. Pak më pak se 1 vit përpara zgjedhjeve krerët e partive opozitare janë ose në çështje penale, ose në arrest.

Një koleg i yni, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Ervin Salianji, me dëshmitarë të rremë u fut pas hekurave pak ditë më parë.

Kjo drejtësi mbyll sytë për inceneratorët, për Portin e Durrësit, që janë çështjet më skandaloze të kësaj qeverie, ndërsa drejtësia e re mbyll sytë sepse aty është firma e Edi Ramës”, tha Paloka.

Në vijim ai theksoi se ky Kuvend nuk respekton as vendimet e Kushtetueses. Në këtë kuadër ai përmendi çështjen Xhaçka, për të cilën tha se Kuvendi shpërfilli Kushtetuesen.

Dhe në fund, Paloka përmendi shkeljen e MSA lidhur me tenderat publikë. Në këtë kuadër, deputeti demokrat u shpreh se kritikat nuk po i bën opozita por vetë BE, pasi qeveria i bën PPP dhe tenderat si të duan, duke shmangur procedurat, përfshi edhe tenderat e hapur, sipas procedurave ndërkombëtare”, tha Paloka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë