Nga Gazeta ‘Si’- Deri më tani, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk ka vënë në dispozicion të gjitha materialet nga SPAK lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ai ka dorëzuar vetëm kërkesën zyrtare dhe vendimet e gjykatave, ndërsa materialet shoqëruese ende jo.
Kjo u denoncua nga Berisha në konferencën e tij të përditshme.
Sipas Berishës, Niko Peleshi ‘ka mbyllur në kasafortë’ provat e dorëzuara nga SPAK për heqjen e mandatit duke mos ua bërë me dije anëtarëve të Këshillit të Mandateve.
Sipas tij, një hap i tillë po merret pasi nga provat që ai i quan të llahtarshme, del se Balluku është një shërbëtore e Ramës.
“Prokuroria ka dorëzuar kërkesën dhe provat, se ku e bazojnë kërkesën e tyre për arrestimin e Lubi Ballukut.
Niko Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit të verifikimit të mandateve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Nuk ua jep sepse provat kanë gjëra të llahtarshme, të cilat e tregojnë Lubinë thjesht një shërbëtore të Edi Ramës.
Dhe ai nuk u jep dhe kërkon të mbledhë Këshillin e Mandateve pa dorëzuar të plotë dokumentet anëtarëve të Këshillit të Mandateve.
Ky është një akt antikushtetuese, antiligjor, një përpjekje e verbër për të mbrojtur me çdo çmim dyshen Rama-Balluku.
Kërkojnë që ta çojnë pas Vitit të Ri, ta spostojnë, madje edhe të mos mbledhin parlamentin gjersa të duan vetë.
Deputetët e PD do të kërkojnë mbledhjen urgjente të parlamentit në përputhje me Kushtetutën.
Dhe kjo është taksative, ndaj i them Ramës, mos u fshih pas fustanit të Lubi Ballukut’, tha Berisha.
Ndërkohë, sipas burimeve nga PD, Peleshi pritet t’ua dorëzojë materialet të premten.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




