Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë Konferencës së Kryetarëve, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si opozita po përdor ndërhyrjen për procedurë për të penguar zhvillimin normal të debatit në seancat plenare.
“Ka deputetë që duan të flasin e të kontribuojnë, por kur seanca shkon keq dhe përfundon në votim, penalizohen edhe ata që nuk kanë asnjë rol në prishjen e debatit,” deklaroi Peleshi, duke shtuar: “Nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta qajmë ditën.”
Ai theksoi se është kthyer në praktikë abuzimi me kërkesat “për procedurë”, të cilat përdoren për të bllokuar hyrjen në debat, edhe pse deputetët kanë në dispozicion kohën e plotë prej 10 minutash për diskutim. Sipas tij, ky veprim lidhet edhe me faktin që faza e parë e seancës ka audiencë më të lartë, gjë që po keqpërdoret me vetëdije.
Peleshi nënvizoi se zbatimi strikt i rregullores nuk mjafton, nëse mungon edhe “buon sensi” mes palëve. “Ju keni bërë gjithçka për ta prishur këtë rend,” tha ai, duke iu drejtuar opozitës.
Në përmbyllje, Kryetari i Kuvendit bëri një apel të fundit për mirëkuptim dhe marrëveshje politike, për të normalizuar punimet e Kuvendit.
Edhe Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla kërkoi nga opozita që të respektojnë rregulloren dhe të lejojnë njëri tjetrin të flasin gjatë seancave plenare.
Qëndrimi i Ballës erdh pas ankesave të opozitës se nuk i lejojnë të flasin. Balla u tha se kur merr fjalën kryeministri duhet ta respektojnë. “Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejta e tij”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



