Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka folur për kërkesën e PD për shkarkimin e tij.
Peleshi tha se shkaku që sot ndodhen në këtë pikë nuk është shkelja e rregullores dhe as ai vetë, por fryma e përçarjes që sipas tij mbjell opozita.
Peleshi hodhi poshtë akuzat e opozitës se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.
“Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallë. Nga ai moment dhe në vazhdim u shpërfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjetet sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit.
Mbase tani dikush pyet çlidhje ka kjo me procedurën e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit. Do ti përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë”, tha Peleshi.
Një këshillë ia jep kolegëve të opozitës duke thënë se ka fituar 13 fushata dhe se ka kuptuar se suksesi në politikë nuk e ka kusht denigrimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



