Bledar Hoti – Parlamenti Europian del kundër propozimit të opozitës për krijimin e një qeveri tranzitore dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i mbajtur nga ana e përfaqësuesve të delegacionit të Parlamentit Europian, në përbërje të të cilit ishin 7 deputetët, pas përfundimit të takimeve me liderët e mazhorancës dhe opozitës, me drejtuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile.
“Ne e kemi diskutuar këtë ide, e kemi dëgjuar mendimet, mendimi është që Parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, keni një qeveri legjitime kështu që mendoj se mendimi i qeverisë së përkohshme apo dhe kalimtare do të dëmtonte përgatitjen e procesit për anëtarësimin në BE”, deklaroi kryetari i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam në konferencën për shtyp.

Ndërsa raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein u shpreh për kërkesat e opozitës vetëm me një fjalë “No way! (Në asnjë mënyrë!)”.
Europarlamentarët i kanë cilësuar si të papranueshme qëndrimin e opozitës se Parlamenti shqiptar është ilegjitim, duke u shprehur se zgjedhjet e 2017-ës ishin të certifikuara. Eurodeputeti Cristian Preda, pjesëtar grupimit të djathtë të PPE-së, ishte më i ashpër në qëndrimin e tij, duke theksuar se zgjedhjet ishin të certifikuara.
“Kam vëzhguar zgjedhjet e 2017 dhe ishin korrekte”, theksoi Preda. Ndërsa sa i përket qëndrimit të opozitës se ka pasur manipulime dhe blerje votash, europarlamentarët theksuan se pavarësisht pretendimeve, Parlamenti është legjitim. “Përfundimet tona ishin se zgjedhjet shkuan mirë, dhe pas një vit e gjysmë nuk mund të themi se zgjedhjet nuk ishin të mira dhe kur e dëgjoj se përfundimet e zyrtareve evropianë, që janë ekspertë të mirë zgjedhorë, nuk ishin të sakta nuk ndjehem mirë. Për mua nuk është se ndjehem mirë edhe është pak çudi kur e dëgjoj politikanët shqiptarë ju lutem jini korrektë”, theksoi Preda.
Ndërsa Kelam përforcoi qëndrimin e tij, duke shtuar se “Kolegu im Preda dhe të tjera kanë qenë vëzhgues dhe thanë se zgjedhjet kanë qenë legjitime dhe si rezultat Parlamenti është legjitim, unë nuk mendoj se raste të caktuara kanë një ndikim të caktuar mbi panoramën e përgjithshme, unë mendoj se duhet të vazhdojmë tani me këtë Parlament”. Për reporterin Fleckenstein, këto janë çështje që i zgjidh Gjykata dhe jo Parlamenti.
“Jo bojkot, Parlamenti të plotësohet me të rinjtë”
Delegacioni i PE-së u shpreh njëzëri se Parlamenti është legjitim dhe se janë kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës. “Konstatimi i dytë që nuk kemi dyshim që ky Parlament do të vazhdojnë rrugëtimin e vet, ndoshta me anëtarë të rinj të vetëm, kështu që të shikojmë, të shikojmë se cili është vendimi në qershor. Opinioni ynë ka qenë i qartë si kristali dhe nuk mendojmë se nuk do të ndryshojë. Kur unë kam ardhur bashkë me vëllanë tim binjak, Eduard Kukan, ka qenë një bojkot nga opozita, asgjë nuk ka ndryshuar tani. Më vjen shumë keq që ajo që quhet djegia e mandateve, nuk është zgjidhja e duhur”, theksoi Fleckenstein. Edhe europarlamentarët e tjerë theksuan se në një vend demokratik vendi i opozitës është në Parlament.

“Zhgënjimi me Kryemadhin, thirrja jo dhunë në protestë”
Europarlamentari Knut Flekcenstein ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me qëndrimet e mbajtura nga ana e opozitës në takimin e zhvilluar një ditë më parë në selinë e BE-së në Tiranë. Raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein tha se djegia e mandateve nuk është mënyrë për zgjidhjen e problemave. Ai u shpreh se është zhgënjyer nga kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, pasi gjatë takimit ajo ka thënë vetëm një fjali se Shqipëria ka nevojë për ndryshim pushteti dhe e ka marrë vendimin.
“Dje patëm disa shkëmbime të mira me disa ndoshta ish deputetë. Së pari me Bashën. Ne e bëmë të qartë se ne e kuptojmë nga njëra anë argumentet e tij, pro edhe nëse opozita të ketë të drejtë me akuzat, bojkotimi nuk zgjidh problemet. U çudita, por edhe u zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI-së për arsye se ajo tha një fjali në fund të takimit, duke thënë që e ata e kanë marrë vendimin që në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, për shoqërinë, për vendin dhe se nëse europianët nuk e kuptojnë nuk është problemi i saj. Duhet ta kuptojnë se në cilën anë ndodhemi ne dhe në cilën anë ndodhen ata”- theksoi Fleckenstein.

Ndërsa më herët në një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi u përfol se europarlamentari pati rezerva të hapura ndaj Kryemadhit. “Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat duhet të ruajnë qetësinë, pasi pamjet e dhunës në protesta vonojnë integrimin e vendit. Për më tepër, zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat. I bëjmë thirrje Këshillit Europian të vlerësojë arritjet e Shqipërisë”, ka thënë Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman.
Dhuna në protesta është kontestuar hapur nga ana e europarlamentarëve, duke theksuar se ato do të dëmtojnë interesin e vendit për të arritur një objektivin madhor që janë integrimi dhe çelja e negociatave.
“Harrova të them që ata që organizojnë protestës duhet të kujdesen që ato të jenë jo të dhunshme. Nuk është e mundur të thuhet është protesta ime, janë njerëzit e mi, po dhuna nuk është e imja. Eshtë si të thuash është ushqimi im, por nuk e paguaj unë. Dhuna të jetë e kufizuar sa më shumë të jetë e mundur, të gjithë e dinë e duhet të kujdesen për këtë. Nëse shikojmë pamje dhune nga rrugët e Tiranës deri në mesin e qershorit, kjo do të ketë pasoja për diskutimet në takimin e Këshillit”- tha Fleckenstein. Ndërsa Kelam theksoi se “Sa u takon demonstratave dhe protestave që kanë ndodhur para Parlamentit dhe Kryeministrisë, ne jemi absolutisht kundër që protestat të kthehen në të dhunshme, jemi shumë kundër nxitjes së dhunës nga partitë politike, pasi se është kundër stabilitetit dhe sigurisë së vendit”.
“Jo ndërmjetësim, dialogoni mes jush”
Europarlamentarët kanë bërë të ditur se janë kundër ndërhyrjes nga PE-ja për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Madje në mënyrë të prerë ata kanë shprehur se këto probleme duhet t’i zgjidhin ndërmjet tyre, mazhoranca dhe opozita. “Mendoj që ka ardhur koha që ky vend t’i zgjidhë vetë problemet e tij. Sot jemi 30 vite nga rënia e regjimit. Nëse palët do kërkonin ndihmë ne do i mbështesim, por problemi mund të zgjidhet vetëm brenda vendit. Sa i takon ndërmjetësimit ju keni shumë ndërmjetësim, ndërsa tani është problem i brendshëm i juaj. Ne e dimë se 90% të shqiptarëve duan të futen në BE dhe ky është një mesazh për liderët politikë që të diskutojnë me njëri-tjetrin”, tha raportuesi për Shqipërinë në PE.
Përfaqësuesi i PPE-së, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të dialgojë me opozitën. “Kam tre fjali të thjeshta për të thënë. E para që ju keni një kryeministër optimist tragjik. Ai vetë e ka shpjeguar dhe vetë e ka përshkuar veten si të tillë dhe na e ka kërkuar që të çelen negociatat me Shqipërinë. Natyrisht çelja e negociatave vjen nga shtetet anëtarë, ndërsa ne si deputetë të PE e mbështesim çeljen e negociatave, pasi ne dëshirojmë të flasim me Europën. Është e rëndësishme që përpara qershorit shqiptarët të flasin me njëri-tjetrin. E ftoj kryeministrin që të bisedojë me opozitën. Do të jetë sukses i madh vërtetë në rast se përpara takimit të këshillit në qershor shqiptarët të bisedojnë me njëri-tjetrin, të kryejnë disa biseda së brendshmi”, theksoi Preda. Ai kontestoi fuqishëm faktin që protestuesve si studentë apo të shoqërisë civile i është bërë presion nga qeveria nëpërmjet familjarëve.

“Liria e shtypit. Ne e kemi diskutuar me gazetarët investigativë dhe kemi dëgjuar se në rast se ne në BE kemi lajme të rremë që vijnë nga Kremlini, këtu lajmet e rreme vijnë nga qeveria, por edhe nga partitë në opozitë. Liria e shtypit është thelbësore, ju lutem respektojeni atë. Ne në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër në Ballkan apo BE, duam një liri të vërtetë të shtypit”, theksoi ai.
Ndërsa Kelam theksoi se duhet në unitet politik për sa i përket çështjes së integrimit evropian. ““Ju keni bërë progres domethënës, në shumë fusha. Sigurisht që mbeten gjëra për t’u bërë. Vëmendja jonë shkon së pari në reformën në drejtësi, në procesin e vettingut dhe të gjitha këto po shkojnë mirë. Por sipas eksperiencës i rëndësishëm është zbatimi. Për këtë zbatim dhe për të qenë të gatshëm ju për të filluar negociatat për anëtarësim nevojitet bashkëpunim i brendshëm. Është jetike. Sinjali më i keq që mund të japë Shqipëria është që ka ndasi politike dhe mungesë strategjish për këtë objektiv. Në të gjitha rastet kërkohet unitet politik. Konsensusi kombëtar është i rëndësishëm, duhen tejkaluar dallimet partiake. Edhe pse jemi përfaqësues të partive të ndryshme politike”, tha eurodeputeti.
Ai deklaroi më tej se “ne jemi të bashkuar në qasjen tonë se në qoftë se Shqipëria është demokraci dhe zgjedhjet janë mbajtur, janë të njohura e të pranuara është e rëndësishme të aderojmë në institucione demokratike. Bojkotimi është një sinjal shumë i keq, cenon besueshmërinë e shtetit dhe të kombit”, theksoi Kelam.
Më datën 5 mars, Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian do të diskutojë mbi situatën në Shqipëri, pas këtij misioni faktmbledhës së 7 eurodeputëtëve. Delegacioni kryesohej nga Tunne Kelam, Knut Flekcenstein, Cristian Preda, Ilhan Kyuchyuk, Bas Belder, Juan Fernando Lopez Aguilar dhe Tamás Meszerics.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





