Në seancën e sotme, Parlamenti Europian, ka mbështetur me shumicë dërrmuese votash liberalizimin e vizave për Kosovën.
Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në këtë institucion, ka bërë të ditur se liberalizimin e vizave për vendin e vogël ballkanik e kanë mbështetur 472 eurodeputetë.
“Në votimin plenar për raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon nga Këshilli i BE-së që të veprojë. 472 pro, 165 kundër dhe 41 abstenime”, – ka shkruar Von Cramon.

Von Cramon, tha sot se Këshilli i Bashkimit Evropian duhet që të heqë vizat për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ajo ka shtuar se, “ndan frustrimin me qytetarët e Kosovës për mungesën e liberalizimit të vizave” dhe ka bërë ftesë për vendet anëtare të BE-së që në Këshill të marrin më në fund vendimin për heqjen e vizave për Kosovën.
Raporti për Kosovën, në pjesën më të madhe flet për problemet me të cilat përballet ky shtet, nga nevoja për një reformë të sistemit zgjedhor, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave, sfidat në ruajtjen e mjedisit, nevojën për depolitizimin e administratës publike dhe reformën e gjyqësorit.
Raportet e Parlamentit Evropian, nuk kanë fuqi detyruese për shtetet anëtare të BE-së, por janë një mesazh politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




