Kosova

PE do të diskutojë ditën e hënë tensionet Kosovë-Serbi

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian do të mblidhet ditën e hënë në një seancë të jashtëzakonshme me një pikë të vetme në agjendë; tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitetin e targave.

Mbledhja e paralajmëruar do të zhvillohet online, ndërsa pason marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, sipas të cilës të dyja palët kanë rënë dakord që të mbulojnë simbolet shtetërore në targat përkatëse, si një zgjidhje të përkohshme dhe të ngrenë një grup pune për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme brenda gjashtë muajve.

Marrëveshja do të largojë prej veriut forcat speciale të policisë së Kosovës, gjithashtu edhe ushtrinë serbe të rreshtuar në kufi. Ajo është cilësuar fitore si nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ashtu edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pari quan fitore tërheqjen e forcave speciale kosovare, i dyti thotë se me anë të kësaj ujdie, Serbia njohu reciprocitetin.

Ndërkohë, edhe zv.ndihmës Sekretari i SHBA për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar i njohu të drejtën për reciprocitet Kosovës gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Bruksel ditën e enjte.

Nga opozita në Kosovë i kërkohet Albin Kurtit që të zbardhë marrëveshjen e plotë, pasi ka dyshime se veriu i Kosovës përjashtohet nga rregulli i zbatimit të mbulimit të targave serbe. Kjo ka nxitur akuza nga PDK dhe AAK, që thonë se pakti cenon Kushtetutën e vendit dhe karakterin unitar të shtetit.

“Marrëveshja, ose duhet zbatuar në të gjithë territorin e vendit, ose nuk duhet zbatuar fare”, thonë nga opozita kosovare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë