Që prej 2011, kohë kur Partia Drejtësi dhe Unitet e Tahir Muhedinit dhe ajo për Drejtësi dhe Integrim e Shpëtim Idrizit vendosën që të shkriheshin, produkti që krijuan, pra Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka qenë një faktor jo fort i vogël në “lojërat” e skenës politike shqiptare.
Në zgjedhjet e para ku testohej ky subjekt i ri politik u rreshtua në krah të mazhorancës. Ishin zgjedhjet për pushtetin vendor të 2011, kur PDIU mbështeti të djathtën dhe kontribuoi edhe në atë fitore të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës.
Edhe në zgjedhjet e 2013, PDIU u rreshtua në krah të Partisë Demokratike. Doli prej andej me pesë deputetë, mes të cilëve edhe vetë Shpëtim Idrizi, që në proces falë marrëveshjes së nënshkruar me Sali Berishën u fut në listën e demokratëve në Qarkun e Fierit.
Por, këto zgjedhje e nxorrën Partinë Demokratike në opozitë dhe në pushtet erdhi Edi Rama, në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Opozitarizmi i PDIU-së do të zgjaste pak muaj dhe sinjalet “flirtuese” me mazhorancën e re po bëheshin gjithnjë e më të forta.
Me LSI-në, Rama kishte një mazhorancë të shëndetshme në Kuvend, por pesë votat e PDIU i duheshin për të mos kushtëzuar votimin e ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar me humorin, qoftë të opozitës, qoftë të Ilir Metës, partner në koalicion.

Në media kjo u interpretua gjerësisht si formë presioni e Kryeministrit në një periudhë kur “muaji i mjaltit” me LSI-në kishte përfunduar dhe fërkimet brenda shumicës së dalë nga zgjedhjet e 2013 po shpërfaqeshin gjithnjë e më shpesh.
Shpëtim Idrizi vetë nuk e lidhte koalicionin e ri me ‘oreksin’ për pushtet, por e quante parimor dhe për çështjen kombëtare. Në fjalimet e deklaratat e tij kujtonte se ishte pikërisht Partia Socialiste ajo që dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e detit të 2009 me Greqinë dhe lëvdonte qëndrimin e mazhorancës në politikën e jashtme deri në atë kohë.
“Flirtimi” do të përfundonte në koalicion në pranverën e 2015, pak javë para zgjedhjeve për pushtetin vendor.
“Bashkëpunimi u bë ne dy pika, parimore dhe programore. Ndaj me Ramën pikat e programit të PDIU dhe e dyta po tentojmë të gjejmë mbështetjen më të mirë për të rritur përfaqësimin e PDIU. Këto janë parimet e PDIU që unë jam mandatuar dhe këto parime na shtyjnë të vendosim që të bëjmë këtë bashkëpunim duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme vendore”, deklaronte Shpëtim Idrizi në atë kohë pas një takimi me Edi Ramën në selinë e Partisë Socialiste.

Por, si çdo marrëveshje politike, veç parimeve dhe programit ndahen edhe postet. Rama e nisi duke e zgjedhur Shpëtim Idrizin nënkryetar të tretë të Kuvendit të Shqipërisë. Ky vendim e bëri që të humbasë një aleat tjetër, por jo aq me peshë sa Shpëtim Idrizi. Vangjel Dule i PDIU-së, që para se të zyrtarizohej koalicioni PS-PDIU ishte pjesë e mazhorancës dhe nënkryetar i Parlamentit. Kur në këtë detyrë iu bashkua Shpëtim Idrizi si koleg dha dorëheqjen dhe njoftoi daljen nga koalicioni.
Një pakt më i hershëm mes PDIU-së dhe PS-së ishte tek reforma administrativo-territoriale, ku kërkesa e çamëve që Konispoli të ishte bashki më vete u miratua nga socialistët. Por aleatët e rinj diskutuan edhe ndarjen e bashkive. Në një koalicion, që siç quhej në atë kohë “me tre koka” duheshin kënaqur që të gjithë. PS i la LSI-së 15 bashki dhe PDIU-së tre të tilla.
Zgjedhjet vendore u fituan nga koalicioni i ri bindshëm, duke i lënë opozitës vetëm Shkodrën dhe Lezhën nga bashkitë e rëndësishme. Aleati i ri i Ramës nisi të zërë vend në institucionet qendrore dhe lokale falë marrëveshjes Rama-Idrizi. Por, PDIU këmbëngulte në marrjen e një posti ministror dhe sa më shumë afroheshin zgjedhjet e 2017, aq më shumë e shtonte presionin ndaj Ramës.

Në shkurt të 2017, skena politike u ndez edhe më tej me nisjen e protestës në çadër nga ana e Partisë Demokratike. Por, situata brenda koalicionit nuk ishte më e njëjtë. Në dukje, treshja Rama-Meta-Idrizi nuk kishin besim tek njëri-tjetri dhe kulisat e koalicioneve kishin nisur më herët.
U fol në atë kohë për një largim të LSI-së nga qeveria dhe rikthimin e saj tek aleanca me Partinë Demokratike, por kjo mbeti në kuadër të thashethemeve mediatike. Një diskutim i konfirmuar i atyre ditëve të vrullshme politike është ai mes Shpëtim Idrizit dhe Ilir Metës. Kreu i PDIU-së dhe në atë kohë, kreu i LSI-së janë takuar të paktën dy herë me njëri-tjetrin dhe në qendër të bisedimeve ka qenë krijimi i një poli të tretë, duke shmangur PS e PD. Këto diskutime janë konfirmuar pas zgjedhjeve edhe nga Ilir Meta.
Zgjedhjet u realizuan falë marrëveshjes Rama-Basha, që ndërkombëtarët e përshëndetën si pakti që shpëtoi procesin elektoral. Por, për partitë e vogla ky pakt ishte dërrmues. Afatet për krijimin e koalicioneve ishin stërtejkaluar dhe në zgjedhje partitë politike u futën të vetme e me parimin “sekush për vete, Zoti për të gjithë”.
Rezultati i dha “tepsinë” aq fort të kërkuar nga Edi Rama në fushatën zgjedhore, ndërsa Shpëtim Idrizi nuk arriti që të futej në Parlament. Kandidonte si numri një në listën e partisë së tij në Tiranë dhe rezultati u vendos për një grusht votash pikërisht në njësinë 5, atë që njihet si bastion i socialistëve.
Disa figura të PDIU thanë në atë kohë se ka pasur projekt të mirëorganizuar për të nxjerrë nga Parlamenti Shpëtim Idrizin. Këto deklarata i lidhin me qëndrimin e PS-së ndaj atij që e cilësuan manipulim të procesit.
Në rang vendi, PDIU u rendit e katërta në vota, pas PS, PD dhe LSI dhe në te gjithë vendin PDIU mori rreth 75 mijë vota, por nxorri vetëm 3 deputetë në siglën e saj, dy në Elbasan dhe një në Dibër.

“Hatërmbetja” e krijuar me socialistët nga moszgjedhja e Shpëtim Idrizit në Tiranë nuk prishi koalicionin dhe formalisht PDIU vazhdoi të mbështesë socialistët në Parlament, por jo më me pesë vota, por me tre, me Bujar Muçën, Aqif Rakipin dhe Reme Lalën. Brenda vetë PDIU-së pati largime të bujshme. Dy deputetët e zgjedhur nën siglën e kësaj partie në Elbasan, Aqif Rakipi dhe Bujar Muça u larguan duke u lënë vendet Dritan Bicit dhe Elena Xhinës.
Përplasja me socialistët do të përshkallëzohej edhe më shumë dhe si argument shërbyen bisedimet me Greqinë dhe mohimi nga pala greke e çështjes çame. Për këtë mohim, PDIU fajëson qeverinë shqiptare, që nuk këmbënguli në këtë temë. Veç çështjes çame, nga radhët e PDIU-së ka pasur vazhdimisht pakënaqësi edhe për ndarjen e pushtetit me socialistët, që sipas tyre, nuk po e vlerësonin sa duhej mbështetjen që kjo parti po i jep në Kuvend.
“Kupa u mbush” dhe zyrtarizimin e daljes në opozitë e konfirmoi kryetari Shpëtim Idrizi.
“Shpall para jush vendimin e Kryesisë së PDIU që votoi në unanimitet që kryetari i PDIU të mandatohet për të përmbyllur marrëveshjen me opozitën zyrtare në vend, e që së bashku të sjellim një realitet të ri për vendin e për të djathtën shqiptare që duhet t’i përmbledhë gjithë copëzat e saj në emër të një qëllimi të madh, një politikë normale që t’i kundërvihet krimit, varfërisë, dhunës e arrogancës shtetërore, një politikë që do bashkojë shqiptarët dhe do kërkojë zgjidhje të mençura e larg gjuhës së urrejtjes për kauzën tonë e për të gjithë kauzat kombëtare“, deklaroi Idrizi ditën e martë.
Kryetari i PDIU-së mori përsipër “fajet dhe gabimet” që i besoi kësaj mazhorance, por duket se për tre deputetët e kësaj force politike në Kuvend, mbështetja e socialistëve nuk është as “faj dhe as gabim”.
Mediat raportojnë një “rebelim” të ligjvënësve ndaj qëndrimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i PDIU-së, të paktën Reme Lala, që ka deklaruar që në krye të herës votën e saj “për Edi Ramën” në Parlament edhe Elena Xhina thuhet se ka shkëputur lidhjet me kryesinë e partisë, që deri diku konfirmohet edhe nga mungesa e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Deri tek zgjedhjet vendore të 2019 nuk mund të flitet me siguri për koalicionet, por sot e sigurtë është që sigla zyrtare e PDIU-së është në opozitë, pavarësisht qëndrimit në Parlament të deputetëve të dalë prej kësaj sigle.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.