Politike

PDIU konkretizon nismën: Projekt-rezolutë për abrogimin e ligjit të luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë

PDIU ka konkretizuar nismën e saj për të abroguar ligjin e luftës (në fuqi) mes dy vendeve Shqipëri-Greqi.  

Në funksion të këtij qëllimi, Shpëtim Idrizi depozitoi në Kuvend një projektrezolutë.   

“Kuvendi i Shqipërisë, i bindur në vullnetin e mirë të Parlamentit të Republikës së Greqisë për t’i dhënë shtysë pozitive marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, duke bërë përpjekje konstruktive për të zgjidhur çdo çështje të hapur,

Fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi”, thuhet në projekt-rezolutë.

Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, PDIU bën thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar”.

“Gjithashtu,  Kuvendi, thuhet ne projekt-rezolutë, i kërkon Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40, dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj”.

“I kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë Nato dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara”, thuhet në dokument.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë