Sekretari i Përgjithshën i PD-së, Gazment Bardhi, ka publikuar në faqen e tij në Facebook një dokument, sipas të cilit, qeveria deri më tash ka furnizuar me ndihma më pak se 10 mijë familje.
“Përmes regjimit të Facebook-ut, ai njofton se qeveria ka furnizuar me ndihma rreth 10 mijë familje në ditë, 250 mijë familje gjithsej që nga mbyllja e ekonomisë. Kjo është një nga talljet e tij të zakonshme me shqiptarët që po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të krizës. E vërteta është shumë larg asaj që propagandon Edi Rama çdo mbrëmje. Megjithëse numri i atyre që kanë mbetur pa punë, i atyre që kanë më pak të ardhura ose që nuk kanë fare të ardhura është rritur ndjeshëm, qeveria ka shpërndarë më pak 10 mijë pako ushqimore për 50 ditë. Më saktë, 9 059 pako ushqimore nga Rezervat e Shtetit, siç tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen Civile”, tha Bardhi.

Në fakt, në dokumentin e bërë publik nga PD-ja, në krye të faqes flitet për një informacion 24-orësh, konkretisht të dhënat e shpërndarjes së ndihmave nga data 25 deri në datë 26 prill.
Më poshtë, në dokumentin e nënvizuar edhe nga PD-ja thuhet se, “deri në datë 25 prill janë dhënë ndihma për 9059 familje…”. Nuk kuptohet nëse kjo është një shifër nga data 24 deri në 25 prill, apo krejt periudha deri më tani, Por raportimi për ndihmat çdo 24 orë që citohet në fillim të dokumentit, e lë një pikëpyetje nëse ka të drejtë PD apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




