Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me praninë për herë të parë të Sali Berishës (për këtë legjislaturë) dhe me mungesën e Lulzim Bashës në anën tjetër, nuk prodhoi asgjë të re, përveç debatit të vjetër: A duhet që Berisha të jetë deputet i grupit, si pasojë e shpalljes non- grata?
Sali Berisha i tha Enkelejd Alibeajt se partinë nuk e drejton ky i fundit, se e njihte si kryetari i grupit, por jo kryetar i komanduar i PD-së.
Por Alibeaj i tha Berishës se duhet të largohej ashtu siç bëri edhe Basha.

Berisha replikoi se nuk mund të heqë një paralele mes humbësit dhe fituesit dhe se për të do të vendosnin forumet. Kaq nga grupi.
Kur disa prej deputetëve mbështetës të Bashës dolën nga ambientet e reja të selisë me logo dhe parulla të ndryshuara nga Rithemelimi, në Facebook-un zyrtar, u shpërnda një deklaratë pa emër e mbiemër në emër të PD.

“Prej ditësh në Partinë Demokratike një grup personash janë duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka deklaruar edhe sot se të gjitha këto veprime janë të paligjshme. Vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë. PD është në pritje të zbardhjes së vendimit për të bërë ankimim sipas ligjit. Në të njëjtën kohë PD ka bërë një kallëzim në SPAK për gjyqtarin Zhukri dhe njëkohësisht po pret rezultatin e inspektimit nga ILD. Nga ana tjetër PD pret vendimin e Gjykatës për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor.
Partia Demokratike do të presë me durim vendimet gjyqsore.
Vendimet, veprimet, pushtimet nuk e ndihmojnë PD dhe nuk i shërbejnë bashkimit dhe as të ardhmes së demokratëve…”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga Facebook-u i PD-së.
Në anën tjetër administrimin e zyrës së shtypit e ka marrë Rithemelimi, ku drejtoresha për komunikimin Floriana Garo këshilloi mediat se Tabaku, Bardhi dhe Alibeaj nuk duhet të citoheshin me pozicionet që kanë pasur më parë, pasi ata janë shkarkuar me kuvendin e 11 dhjetorit.
Lulzim Basha ndërkohë figuron ende kryetar i PD-së në faqen e tij Twitter.

Edhe në faqen zyrtare te Pd.al nuk është përditësuar asgjë. Janë të njëjtat organe si para dorëheqjes së Lulzim Bashës, njoftimet e këtij të fundit, dhe gjithçka tjetër që i përket epokës “Basha”.

Berisha është shprehur se ky tranzicion zgjat deri në fund të prillit atëherë kur të mblidhet Kuvendi dhe të zgjedhe organet e reja drejtuese, Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe lidershipin.
Zgjedhjet për kryetarin përmes parimit “një anëtar një vote” do të bëhen në një kohë të dytë.
Deri atëherë PD-në do ta shoqërojë një situatë absurde ku secila palë pretendon se është PD-ja e vërtetë që duhet t’i referohemi.
Njëra pakicë që e quan palën tjetër si një “grup pushtuesish” që nuk do të zgjasin shumë në seli dhe tjetra që thotë se ata janë PD-ja me vendim gjykate që mirëpret edhe “pakicën” në selinë e ristrukturuar
Një situatë qesharake që nuk është çudi t’i mbivendoset ndonjë vendim tjetër gjykate për të njohur edhe Kuvendin e 18 dhjetorit të Lulzim Bashës. Atëherë po, çfarë do na shohin sytë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.