Politike

PD thyen bojkotin, çon ekspertë në tryezën e OSBE ku është dhe PS

Takimi me aleatët në selinë e PD-së ka vendosur pas një orë diskutimi që opozita të përfaqësohet në tryezën e reformës zgjedhore që organizohet nga OSBE-ja dhe komisioni i posaçëm parlamentar. Prezenca e opozitës pritet të jetë në një nivel ekspertësh teknik, ku do të paraqesin edhe propozimet e tyre për reformën zgjedhore. Kjo gjë u vendos pas takimit njëorësh të zhvilluar në selinë e PD-së. Një fakt i tillë është bërë prezent nga ana e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për mediat pas mbylljes së takimit me aleatët, e cila theksoi e opozita është pro dialogut institucional. Në takim ishin të pranishëm Petrit Vasili dhe Monika Kryemadhi nga LSI, Vangjel Dule nga PBDNJ, Nard Ndoka nga PDK, Fatmir Mediu nga PR, Dashamiri Shehi i LZHK, Shpëtim Idrizi nga PDIU dhe Agron Duka nga PAA.

“Opozita e bashkuar mori vendimin për të marrë pjesë në tryezën që organizohet në nivel teknik. Takimi ngarkoi zotin Basha dhe disa të tjerë për të informuar ambasadorin lidhur me vendimin”, deklaroi Kryemadhi.

Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili duke hyrë në takimin me aleatët i mbajtur në selinë e PD-së


Kryetarja e LSI-së ndërkohë transmetoi edhe një mesazh edhe në adresë të Bashës dhe të Ramës,sa i përket zgjidhjes së krizës politike. “Sa i përket krizës, problemi ka qenë kryeministri për zgjidhjen e krizës, opozita ka qenë për institucionalizimin e dialogut. Opozita e gatshme jo për të zgjidhur krizën as të Edi Ramës dhe as të ndonjë lideri tjetër, e gatshme për të hapur negociatat me BE-në. Po vazhdojmë me grupet e punës për frontin opozitar për paketën antikrizë. Kriza nuk është vetëm Parlamenti, por edhe situata me të cilën ndodhen shqiptarët.. Është paketë për t’u dhënë shqiptarëve më shumë mundësi”, u shpreh Kryemadhi.


Mësohet se grupi i ekspertëve të opozitës për reformën zgjedhore do të jenë Ivi Kaso nga Partia Demokratike, Arjan Madhi nga Parti Republikane dhe Muharrem Caka nga LSI.
Ndërsa mësohet se aleatët e PD-së i kanë kërkuar kryedemokratit Basha që të kenë një paketë për reformën zgjedhore, ku bazë të jetë edhe ndryshimi i sistemit. Kjo pritet të shihet nëse do të propozohet në bllok paketa e reformës zgjedhore, apo do të kërkohet veçmas ndryshimi i sistemit.

Ndërsa pas largimit të liderëve të partive aleateve në zyrën e kreun të PD-së, Lulzim Basha ka shkuar ambasadori i OSBE-së, të cilit i është komunikuar zyrtarisht pjesëmarrje në këtë tryezë në nivel teknikësh.

Ambasadori i OSBE-së, duke u futur në selinë e PD-së


Kjo tërheqje e PD-së shihet edhe si një dhënie fund e bojkotit dhe nisjes së diskutimit me mazhorancën duke nisur me reformën zgjedhore, si një nga kushtet e vendosura nga ana e ndërkombëtarëve. Kjo do të jetë hera parë, pas nëntë muaj krizë politike, që opozita do të ulet në një tryezë me mazhorancë, kjo si nisje në nivel teknikësh.
Një javë më parë OSBE-ja nisi ftesat zyrtare drejt partive jo parlamentar për të marrë pjesë në tryezën që organizohet më 25 shtator. Kjo tryezë ka si pjesë diskutimi edhe sistemin zgjedhor. Për herë të parë gjithashtu opozita jo parlamentare do të përballet edhe me opozitën parlamentare, e cila ka si kusht të sajin kryesor ndryshimin e sistemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë