Politike

PD tërheq mbështetjen, PS kalon në seancë për votim 6 kandidatë për Avokatin e Popullit

Nga Gazeta ‘Si’– Komisioni i Ligjeve ka miratuar me 9 vota pro dhe 3 kundër një raport për t’i dërguar seancës plenare ku përfshihen gjashtë kandidatët që plotësojnë kriteret për t’u votuar për Avokat të Popullit.

Për më shumë se një orë komisioni u përfshi nga debatet pas vendimit të Partisë Demokratike për të tërhequr firmat për të gjithë kandidatët.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se vullneti i demokratëve për të tërhequr firmat ka shkuar në protokollin e Kuvendit dhe do të jetë seanca e të enjtes që do të vendosë nëse do të pranohen dhe rihapet procesi, apo do të vijojë me zgjedhjen e një prej gjashtë emrave.

Kreu i komisionit, Ulsi Manja tha se kandidatët që kanë siguruar 28 firma janë Adriana Kalaja, Aranita Braho, Besim Ndregjoni, Skëndër Haluci, Tartar Bazaj dhe Endrit Shabani.

Emrat do të votohen të enjten në Kuvend në seancën plenare.

PD njoftoi tërheqjen e firmave me argumentin se nënshkrimet janë dhënë para se kandidatët të kalonin filtrin e Komisionit të Ligjeve.

Gjatë mbledhjes, Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja e ka cilësuar si jo morale dhe as burrërore vendimin e kolegëve të opozitës për tërheqjen nga mbështetja për kandidatët për Avokat popullit.

Ai tha se megjithatë, nga ana juridike, akti është i njëjtë me një ankim që tërhiqet në Gjykatë dhe kjo e fundit pushon çështjen.

“Të gjithë anëtarët e grupit të PD-së kanë tërhequr nënshkrimet për të gjithë kandidaturat. Po e them publikisht, nga pikëpamja morale ky nuk është akt as burrëror as juridik. Mbaj përgjegjësi për këtë që po them. Nga pikëpamja juridike ndodhemi para një fakti: imagjinoni kodin e procedurës civile kur një palë që ka bërë ankimin heq dorë nga e drejta ankimit brenda afatit. Çfarë ndodh në gjykata? Ankimi nuk ka vlerë. Po e njëjta gjykatë vendos moskalimin në seancë dhe e bën me deklarim që ky ankim nuk ekziston më”, tha Ndoji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë