Nga Gazeta ‘Si’- Grupi negociator i Partisë Demokratike, ka vijuar me takimet me partitë e tjera opozitare me qëllim përcaktimin e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme lokale që pritet të zhvillohen për Bashkinë e Tiranës.
Burime bëjnë me dije se në takime janë diskutuar tre emra të mundshëm që vijnë si aktivistë të shoqërisë civile.
Ata janë Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj, por deri më tani nuk ka dakordësi për asnjë prej tyre dhe negociatat do të vijojnë mes palëve.
Përfaqësuesit e PD-së, janë takuar me palë të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Partisë Mundësia.
Nga ambientet e hotelit ku është mbajtur takimi, deputeti i Partisë Mundësia, ka folur për mediat duke theksuar se e rëndësishme që këto negociata të përfundojnë me sukses, është që emri i personit që do të përfaqësojë opozitën, të jetë një personazh me integritet dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë apo çdo formë tjetër që cënon profilin politik dhe më tej të individit.
“Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut.
Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.
Ndërkohë deputeti Belind Këlliçi ka deklaruar se me aleatët janë dakordësuar për një kandidaturë në Tiranë që, sipas tij, do të unifikojë të gjithë spektrin opozitar.
“Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët e Tiranës që forcat politike kanë një lloj konsensusi për të dalë me një emër, i cili mund të përballet në ditën më të parë me Ogerta Manastirliun”, u shpreh ai.
Këlliçi shtoi se janë diskutuar emra të përveçëm, por që nuk do ta bëjë publike, duke theksuar se ka edhe dakordësinë e PD-së.
“Të kemi një kandidaturë që të bëjë ndryshimin në Tiranë”, përfundoi Këlliçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




